Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, ka konfirmuar se do të kandidojë për një mandat të fundit në krye të organizatës europiane të futbollit. Ai i ka komunikuar vendimin presidentëve dhe sekretarëve të përgjithshëm të 55 shoqatave anëtare të UEFA-s, pas kërkesës që federatat kombëtare i kishin bërë në muajt e fundit për të rishqyrtuar vendimin e mëparshëm për të mos kërkuar një tjetër mandat. Čeferin ka pranuar këtë kërkesë dhe do të kandidojë për rizgjedhje në Kongresin e 51-të të Zakonshëm të UEFA-s, i parashikuar më 22 prill 2027 në Astana të Kazakistanit.
Në deklarimet e tij, Čeferin tha: “Dua të falënderoj shoqatat kombëtare për besimin e tyre. Në vitet e fundit, jemi përballur me sfida të jashtëzakonshme dhe e kemi bërë këtë si një ekip i bashkuar. Ka ende shumë punë të rëndësishme për t’u bërë dhe për këtë arsye e kam pranuar kërkesën e tyre.” Ai shtoi se objektivi i tij mbetet ruajtja e unitetit të futbollit europian dhe forcimi i UEFA-s, duke theksuar: “Ambicia ime mbetet e njëjtë: ta mbaj futbollin europian të bashkuar, ta bëj sportin tonë më të fortë dhe ta lë UEFA-n gati për gjeneratën e ardhshme.” Për më tepër, Čeferin shprehu mirënjohje ndaj familjes për mbështetjen në vendimin për të vijuar në krye të UEFA-s.
Në takimin e zhvilluar në Berlin u diskutua edhe e ardhmja e qeverisjes dhe lidershipit të FIFA-s. Sipas UEFA-s, 55 shoqatat kombëtare, me përjashtim të Federatës së Futbollit të Azerbajxhanit, janë rënë dakord për një drejtim të përbashkët lidhur me reformën e FIFA-s. Federatat shprehën pakënaqësi ndaj lidershipit aktual të organizatës botërore dhe kërkuan ndryshime më të thella institucionale, duke theksuar se reforma institucionale nuk është e mjaftueshme dhe se FIFA ka nevojë për një lidership të ri.
Në deklarimin e tyre, shoqatat kërkojnë që drejtuesi i ardhshëm të jetë një figurë e respektuar dhe unifikuese, me përvojë të thellë në futboll, vizion dhe aftësi për të fituar besimin e të gjitha rajoneve, si dhe me një angazhim të qartë ndaj zhvillimit, reformës, integritetit dhe pavarësisë së organizatës. Një tjetër takim i 55 shoqatave pritet të zhvillohet deri më 17 nëntor 2026 për të vijuar diskutimet mbi të ardhmen e qeverisjes së futbollit europian dhe botëror.

