Një investigim i përbashkët i BBC-së dhe radios NPR zbulon se Bassam al-Hassan, ish-gjeneral sirian i lidhur me programin e armëve kimike të regjimit të Bashar al-Assadit dhe i kërkuar për krime kundër njerëzimit, po merr mbrojtje dhe mbështetje financiare nga autoritetet amerikane dhe libaneze. Sipas hetimit, al-Hassan, ish-këshilltar i lartë i Assadit dhe përgjegjës për programin sirian të armëve kimike, jeton në Liban që prej rrëzimit të regjimit në vitin 2024, dhe qëndrimi i tij atje është mundësuar përmes një marrëveshjeje ku përfshihen FBI-ja dhe autoritetet amerikane e libaneze.
Në këmbim të mbrojtjes, lejes së qëndrimit dhe mbulimit të shpenzimeve të jetesës, al-Hassan ka pranuar të japë informacione lidhur me rrëmbimin e gazetarit amerikan Austin Tice në Siri në vitin 2012, si edhe të dhëna të tjera të inteligjencës. BBC kishte zbuluar më parë se rrëmbimi i Tice ishte një operacion i planifikuar dhe se al-Hassan bënte pjesë në zinxhirin komandues përgjegjës për të. Burime të investigimit thonë se ish-gjenerali merr para nga autoritetet amerikane përmes një ndërmjetësi, çka e bën më të vështirë gjurmimin e pagesave, megjithëse ai është subjekt i sanksioneve të vendosura nga vetë Shtetet e Bashkuara.
Marrëveshja besohet të jetë arritur në pranverën e vitit 2025. Megjithatë, persona të përfshirë në hetimin për fatin e Austin Tice thonë se nuk ka prova të mjaftueshme që bashkëpunimi me al-Hassan të ketë sjellë përparim të rëndësishëm në zbardhjen e çështjes. Përfaqësues të qeverisë së re siriane kërkojnë kthimin e ish-gjeneralit në Damask për t’u përballur me drejtësinë, ndërsa autoritetet amerikane, sipas pretendimeve, insiston që ai të qëndrojë në Bejrut.
Zbulimet kanë shkaktuar reagimin e familjes së Austin Tice. Zëdhënësi i saj, Phil Elwood, e cilësoi të papranueshme mundësinë që paratë e taksapaguesve amerikanë të përdoren për të siguruar një jetë të rehatshme për një person të lidhur me përdorimin e armëve kimike kundër civilëve sirianë. “Kjo nuk është asgjë më pak se ndihmë për arratisjen e një krimineli lufte të kërkuar. Sirianët meritojnë drejtësi dhe ai duhet të kthehet për t’u gjykuar”, deklaroi Elwood.

