Marc Andre Ter Stegen është duke u rikuperuar nga një dëmtim që pësoi në ndeshjen e tij të dytë me fanelën e Gironës, skuadër te cilën e ka marrë me huazim nga Barcelona gjatë muajve të dimrit. Qëllimi i transferimit ishte të siguronte më shumë minutazh dhe të ringrihej si kandidat për të qenë portieri titullar i Gjermanisë në Botërorin që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, por problemi fizik e bën këtë pothuajse të pamundur.
Për shkak të situatës së Ter Stegen, në Gjermani ka nisur spekulimi intensiv mbi zgjedhjen e portierit që do të mbrojë portën e kampionëve katër herë të botës në kompeticionin që nis brenda pak javësh. Alexander Baumann është aktualisht portieri që Julian Nagelsmann po aktivizon vazhdimisht, ndërsa burimet parashikojnë se rrjedha e vendimeve mund të ndryshojë në mënyrë të papritur.
Emri i Manuel Neuer, i cili sot është 40 vjeç dhe u tërhoq nga kombëtarja para dy vitesh, është kthyer në diskutim publik. Neuer ka deklaruar në disa raste të kaluar se nuk kishte opsion për t’u rikthyer në grumbullimin e Die Mannschaft, megjithatë në Gjermani po shtohen zërat se ai mund të përfshihet në skuadrën për në Botëror. Sky Sports Deutschland raporton se Neuer është futur në listën paraprake me 55 futbollistë që trajneri Julian Nagelsmann i ka dorëzuar FIFA-s.
Ende nuk është marrë një vendim përfundimtar nga stafi teknik për listën e lojtarëve që do të udhëtojnë në turneun ndërkombëtar, por pritet që zyrtarizimet të bëhen së shpejti. Në këtë kontekst, rikuperimi i Ter Stegen dhe diskutimet rreth pjesëmarrjes së Neuerit mbeten elementë kryesorë të debatit për portën gjermane përpara fillimit të Botërorit. Top Channel.

