Kolonat e gjata në kufirin mes Malit të Zi dhe Kroacisë po shkaktojnë vështirësi për mijëra udhëtarë, përfshi edhe shumë shqiptarë që udhëtojnë drejt vendeve të Evropës Perëndimore pas pushimeve verore. Në pikën kufitare Karasoviçi–Debeli Brijeg janë krijuar kolona që kalojnë 20 kilometra; mediat kroate raportojnë pritje deri në 10 orë, ndërsa raportime jozyrtare flasin për raste kur pritjet kanë zgjatur deri në 28 orë.
Situata ka bërë që banorë të zonës së Konavles të hapin dyert e shtëpive për të mundësuar përdorimin e tualeteve dhe pushimin e udhëtarëve, ndërsa autoritetet lokale kanë vendosur cisterna me ujë të pijshëm për personat e bllokuar në trafik për orë të tëra.
Për ngjarjen ka reaguar Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, e cila pranon se pritjet e gjata në kufirin Kroaci–Mali i Zi janë një fenomen që përsëritet pothuajse çdo verë për shkak të fluksit të jashtëzakonshëm të udhëtarëve. Ministria nënvizon se rritja e ndjeshme e lëvizjeve në rajon dhe numri në rritje i personave që udhëtojnë drejt Shqipërisë me rrugë tokësore gjatë sezonit turistik sjellin, veçanërisht në ditët me fluks maksimal, pritje të gjata në pikat kufitare mes Kroacisë dhe Malit të Zi.
Diplomatët shqiptarë janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet e vendeve përkatëse, me synimin që procedurat kufitare të zhvillohen sa më shpejt dhe të shtohen kapacitetet për të minimizuar kohën e pritjes. Ministria thekson se vetëm gjatë sezonit veror rreth 300 mijë shtetas shqiptarë kalojnë përmes këtij korridori rrugor, çka krijon ngarkesë të madhe për infrastrukturën dhe shërbimet kufitare. Autoritetet shqiptare thonë se do të vazhdojnë bashkëpunimin me institucionet e rajonit për të gjetur zgjidhje praktike që do të lehtësojnë lëvizjen e qytetarëve, deri në zgjerimin e plotë të hapësirës Schengen në këtë pjesë të Ballkanit.
Ndërkaq, autoritetet kroate u kanë bërë thirrje udhëtarëve që, nëse është e mundur, të përdorin itinerare alternative përmes Bosnjë e Hercegovinës ose të zgjedhin transportin detar nga Durrësi drejt porteve italiane për të shmangur kolonat e gjata në kufirin Kroaci–Mali i Zi.

