Policia zhvilloi kontrolle të befasishme në disa zona të Tiranës dhe në Fushë-Krujë, Bubq e Nikël, ku si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë dy persona dhe u sekuestruan lëndë narkotike e dyshuar kokainë, një armë e ftohtë dhe një automjet luksoz. Aksioni u krye nga Forca e Posaçme Operacionale dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore, si pjesë e masave për rritjen e sigurisë dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme.
Kontrollet ishin të fokusuara në evidentimin e personave që posedojnë armë pa leje, lëndë narkotike, personave në kërkim, si dhe verifikimin e mjeteve luksoze, automjeteve me xhama të errësuar mbi normat e lejuara dhe mjeteve me modifikime që shkaktojnë zhurma shqetësuese. Gjatë aksionit u kontrolluan dhe verifikuan 87 automjete dhe 118 shtetas. Policia konstatoi dhe hoqi 34 xhama të errësuar në kundërshtim me Kodin Rrugor, ndërsa drejtuesit e mjeteve u ndëshkuan me masa administrative.
Për verifikime të mëtejshme u shoqëruan 12 automjete dhe 16 persona. Një shtetas u arrestua në flagrancë pasi gjatë kontrollit i është gjetur një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë. Një tjetër person u arrestua pasi gjatë kontrollit i është gjetur dhe sekuestruar një armë e ftohtë, konkretisht një shufër metalike. Ndërkohë, është shoqëruar edhe një shtetas tjetër pasi kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”; automjeti luksoz që ai përdorte është sekuestruar nga autoritetet.
Policia bën me dije se kontrollet do të vijojnë pa ndërprerje, me qëllim parandalimin dhe goditjen e shkeljeve ligjore, si dhe garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Informacioni i operacionit është dhënë nga burimet zyrtare të Policisë. Source: Top Channel.

