Rritjet e propozuara në Paketën Fiskale 2027 — tatimi mbi fitimin në 17%, tatimi mbi dividendin nga 8% në 15%, rritja e TVSH-së për turizmin nga 6% në 10% dhe ulja e pragut të TVSH-së në 5 milionë lekë — po kundërshtohen nga përfaqësuesit e biznesit. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Pro Export Albania paralajmërojnë se këto ndryshime do të rrisin barrën për sipërmarrjen në një kohë kur bizneset përballen me kosto të larta dhe zhvlerësimin e euros.
Dhoma e Tregtisë Tiranë shpreh mbështetje për uljen e TVSH-së në 6% për produktet bazë të shportës ushqimore, një masë që thotë se e ka kërkuar prej vitesh, por kundërshton që ky lehtësim të shoqërohet me rritje të tjera taksash për biznesin dhe konsumatorët. Sipas saj, kombinohet tatimi mbi fitimin në 17% me TVSH-në standarde në 21% do ta vendosnin Shqipërinë ndër vendet me normat më të larta në Ballkanin Perëndimor. Dhoma paralajmëron se rritja e tatimit mbi dividendin do të rëndojë mbi fitimin e riinvestuar dhe kapitalin vendas.
Rritja e TVSH-së për turizmin nga 6% në 10% vlerësohet si e papërshtatshme për sektorin, për shkak të rënies së euros dhe faktit që kontratat për sezonin 2027 po nënshkruhen me çmime fikse. Ulja e pragut të TVSH-së në 5 milionë lekë, sipas Dhomës, do të prekë dyqanet, zejtarët dhe shërbimet e lagjeve — shumë prej të cilëve fitojnë sa një pagë mesatare — duke rritur rrezikun e informalitetit.
Përfaqësuesit e biznesit shprehin shqetësim edhe për mënyrën e hartimit të Paketës Fiskale: Dhoma thotë se më 9 tetor i ka dërguar Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit propozimet dhe rekomandimet e komunitetit të biznesit, por nuk ka marrë përgjigje. Bizneset, sipas Dhomës, kanë mësuar përmbajtjen e paketës nga media dhe nuk është zhvilluar asnjë konsultim me organizatat e tyre. “Biznesi nuk duhet të informohet pasi politika fiskale është hartuar. Biznesi duhet të konsultohet përpara se ajo të vendoset”, thekson Dhoma.
Pro Export Albania thekson pasojat mbi sektorin prodhues dhe eksportues, duke kërkuar masa që nxisin investimet, automatizimin, digjitalizimin dhe prodhimin me vlerë të shtuar, jo rritje të barrës fiskale. Dhoma kërkon pezullimin e ndryshimeve që rrisin normat deri në zhvillimin e konsultimeve, ruajtjen e normave aktuale dhe publikimin e analizës së ndikimit mbi investimet, punësimin, çmimet, konsumimin, informalitetin dhe konkurrueshmërinë. Ajo thotë se nuk është kundër reformës fiskale, por kërkon rikthimin e Paketës Fiskale 2027 në dialog me biznesin para vendimmarrjeve përfundimtare.

