Berisha deklaroi:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.
Mirënjohjen më të pakufishme ju pararendësve të fitores së opozitës shqiptare, fitores së Shqipërisë dhe kombit shqiptar mbi narkoshtetin, krimin, drogën dhe të shkuarën e tij.
Të dashur miq, një përshëndetje gjithashtu dua t’u bëj oratorëve të kësaj platforme të fjalës së lirë, që çdo natë me guxim përcjellin tek mbarë shqiptarët të vërtetat e hidhura, por edhe perspektivën që çel opozita shqiptare sot në rrugën drejt fitores.
Të dashur miq, fitorja e djeshme e presidentit Donald Trump, fitore mbi hipokrizinë, mashtrimin, por dhe mbi agresionin ndaj dinjitetit dhe identitetit të njeriut, ishte goditja më e rëndë që ekstremi i majtë ka marrë në të gjithë dy dekadat e fundit.
E financuar dhe e frymëzuar nga monstra e njerëzimit, Xhorxh Soros, për fatin më të keq së pari të kombit amerikan, por pastaj të miqve dhe partnerëve të SHBA në botë, bazuar në këtë ideologji, u vërsulën kundër identitetit të njeriut.
Kundër dinjitetit të tij.
Kundër familjes, folesë mijëravjeçare të shoqërisë njerëzore, të civilizimit njerëzor.