Bashkimi Europian do të nisë më 2 gusht zbatimin e rregullave të reja për transparencën e inteligjencës artificiale, që detyrojnë kompanitë të etiketojnë qartë çdo përmbajtje të krijuar ose të manipuluar me AI. Masat janë pjesë e Aktit Europian për Inteligjencën Artificiale, i cili hyn në fuqi në faza. Sipas rregullave, chatbot-et duhet të identifikohen qartë si sisteme të inteligjencës artificiale, ndërsa imazhet, videot, tekstet dhe materialet audio të krijuara me AI duhet të mbajnë etiketa ose shenja digjitale, si watermark-e, që lejojnë identifikimin e tyre. Kompanitë që nuk i respektojnë këto detyrime rrezikojnë gjoba të larta.
Komisioni Evropian argumenton se zhvillimi i inteligjencës artificiale gjeneruese ka rritur ndjeshëm rrezikun e dezinformimit, pasi përmbajtje të rreme mund të prodhohen dhe shpërndahen në shkallë të gjerë. Një shqetësim i veçantë mbeten “deepfake”-et, materiale që duken autentike por janë krijuar ose manipuluar nga inteligjenca artificiale.
Rregullat aplikohen për përmbajtjet e prodhuara për qëllime profesionale; përdorimi personal i AI-së nuk preket. Edhe tekstet informuese për çështje me interes publik do të duhet të etiketohen nëse janë krijuar nga AI pa mbikëqyrje editoriale njerëzore. Sistemet ekzistuese kanë afat deri më 2 dhjetor për t’u përshtatur me kërkesat e reja. Janë përjashtuar veprat artistike, krijuese, satirike dhe ato të zhanrit fiksion.
Ndërkohë, disa platforma të mëdha teknologjike kanë nisur tashmë zbatimin e praktikave të etiketimeve. TikTok kërkon prej vitesh etiketimin e përmbajtjeve të krijuara me AI; Meta përdor etiketën “AI Info” në Facebook dhe Instagram; Google ka nënshkruar kodin europian të transparencës dhe po bashkëpunon me kompani si OpenAI, Nvidia dhe Apple për zhvillimin e standardeve të përbashkëta të identifikimit të përmbajtjeve të gjeneruara nga inteligjenca artificiale.
Rregullat synojnë të rrisin transparencën dhe të kufizojnë përhapjen e përmbajtjeve të manipuluara ose të rreme, duke vendosur detyrime të qarta për identifikimin e materialeve të krijuara me teknologji gjeneruese.

