Në vigjiljen e samitit BE–Ballkani Perëndimor në Malin e Zi, Gjermania dhe Franca kanë paraqitur një non-paper për rajonin, duke i kërkuar Komisionit Europian të hartojë propozime për lehtësimin e integrimit gradual të vendeve kandidate në Bashkimin Europian. Sipas dokumentit joformal, vendet që afrohen me anëtarësimin do të mund të përfitonin më herët nga disa avantazhe të tregut të brendshëm evropian dhe do të përfshiheshin më shumë në proceset institucionale të BE-së, por kjo përfshirje duhet të zhvillohet mbi baza të qarta që garantojnë ruajtjen e pavarësisë dhe autonomisë së procesit vendimmarrës të BE-së.
Non-paperi thekson se politika e zgjerimit ka nevojë për një shtysë të re dhe i sheh samitet e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor më 5 qershor dhe me Moldavinë më 22 qershor si një mundësi të rëndësishme për të vepruar. Qëllimi i përbashkët, sipas dokumentit, është përfundimi i Bashkimit Evropian si një union vërtet evropian, dhe për ta arritur këtë kërkohet krijimi i stimujve shtesë përmes integrimit gradual të bazuar në meritë.
Gjermania dhe Franca nënvizojnë se objektivi përfundimtar mbetet anëtarësimi i plotë në BE. Dokumenti precizon se integrimi gradual nuk ka për qëllim të zëvendësojë anëtarësimin e plotë apo të zgjasë rrugën drejt tij; “Përkundrazi, synimi është të krijohen nxitje që përshpejtojnë përparimin në këtë proces. Në këtë mënyrë, integrimi gradual do të kontribuojë si në zgjerimin e suksesshëm të Bashkimit Europian, ashtu edhe në forcimin e tij.”
Një tjetër element i propozimit është thjeshtimi i metodologjisë së negociatave përmes bashkimit të disa hapave proceduralë. Dokumenti nënvizon se fokusin e aktorëve — vendeve kandidate, Komisionit Evropian dhe Këshillit të BE-së — duhet ta zërë më shumë përmbajtja dhe rezultatet e reformave sesa procedurat administrative. Po ashtu, këmbëngulet për dhënien e stimujve shtesë për vendet kandidate, si mjet për t’u dhënë dinamikë më të madhe procesit të integrimit dhe për të lehtësuar integrim më të shpejtë e më të thellë në përputhje me kriteret e Kopenhagës.

