Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, kërkoi dhe u dhanë 12 masa sigurimi ndaj 12 shtetasve, përfshirë “Arrest në burg”, “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për veprat penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi kompjuterik” (nenet 135/25, 186/3 dhe 186/a/2 të Kodit Penal). Hetimet për procedimin penal nr. 7108 të vitit 2025 u nisën pas kallëzimit të shtetasit I.O., i cili denoncoi se nga tre llogaritë e tij në UBA Bank u tërhoqën pa autorizim 500.000 lekë. Një kallëzim tjetër u bë nga banka për tërheqje pa autorizim ndaj klientes A.K. Nga hetimet rezultoi se nga klientët e bankës janë kryer 30 tërheqje pa mandat dhe janë hapur e mbyllur pa autorizim disa depozita me afat në euro dhe dollarë.
Prokuroria evidentoi dyshim të arsyeshëm se shtetasit E.Q., I.D., E.K., B.M., A.K., G.H., G.B., D.D., O.K., R.S., B.N. dhe Zh.B. janë autorë të mundshëm të veprave të përmendura. Kundrejt A.K. dhe G.H., zv.drejtor dhe drejtor i degës, u kërkua masa “Arrest në burg” pasi rezulton se kanë kryer në mënyrë të përsëritur veprime të kundërligjshme gjatë ushtrimit të detyrës, duke shpërdoruar detyrën dhe aksesin në sistemin bankar. Ata dyshohet se përvetësuan shuma monetare nga dy klientë përmes mandateve të tërheqjes false, ndërhyrjes së paligjshme në sistem përmes konvertimeve valutore, hapjes/mbylljes së depozitave dhe ndryshimit të të dhënave pa autorizim, veprime të kryera në bashkëpunim me punonjës të tjerë të bankës si arkëtar, supervizor dhe shërbim ndaj klientit.
Masa “Arrest në shtëpi” u vendos për G.B., D.D., O.K., R.S., B.N. dhe Zh.B., për kryerje të përsëritur të veprimeve të kundërligjshme dhe përvetësim të fondeve përmes mandateve false ose ndërhyrjes në sistem pa autorizim. Sipas Prokurorisë, skema funksiononte me mekanizmin: arkëtar/shërbim klienti me akses ekskluziv mbi fondet e klientit kryenin ndërhyrje dhe manipulime të cilat verifikoheshin dhe autorizoheshin nga nivelet drejtues, përgjegjës operacional dhe drejtori i degës. Kundrejt E.Q., I.D., E.K. dhe B.M. u kërkua dhe u pranua masa “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për veprën “Falsifikimi kompjuterik”, pasi këta shtetas dyshohet se kryen veprime dhe transaksione bankare në mungesë të kontratave, duke krijuar premisat për veprimtarinë e jashtëligjshme të bashkëpunëtorëve të tjerë.

