Opozita ka kërkuar ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për të verifikuar veprimtarinë e institucioneve shtetërore lidhur me trafikun ndërkombëtar të armëve. Kërkesa, e firmosur nga 39 deputetë të Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë dhe drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, synon të hetojë nëse institucionet përgjegjëse kanë vepruar në përputhje me ligjin për parandalimin, kontrollin dhe zbulimin e këtyre veprimtarive dhe nëse ekzistojnë përgjegjësi politike, administrative apo institucionale.
Shkak për kërkesën janë deklaratat dhe materialet audio të publikuara më 7 shtator nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj. Deputetët nënshkrues theksojnë se këto deklarata dhe materiale nuk konsiderohen fakte të provuara, por indicie që duhet t’i nënshtrohen kontrollit parlamentar. Qëllimi i komisionit do të jetë verifikimi i pretendimeve përmes dokumenteve, dëshmive, të dhënave zyrtare dhe kontrollit të institucioneve shtetërore.
Fokusi i hetimit do të përfshijë procedurat e importit, eksportit, tranzitit, transportit, magazinimit dhe transferimit të armëve dhe pajisjeve ushtarake, si dhe licencat dhe autorizimet e lëshuara nga institucionet shtetërore. Deputetët kërkojnë gjithashtu verifikimin e kontrolleve doganore, kufitare, portuale dhe aeroportuale. Një tjetër drejtim hetimi është nëse ka pasur komunikime, ndërhyrje, urdhra apo orientime nga funksionarë publikë që mund të kenë ndikuar në trajtimin institucional të çështjeve të dyshuara, si dhe marrëdhëniet mes subjekteve private të përmendura në materialet publike dhe institucioneve shtetërore.
Hetimi parlamentar propozohet të shtrihet për periudhën 1 janar 2024–7 shtator 2026, duke përfshirë edhe dokumente më të hershme. Opozita kërkon që Komisioni të marrë në pyetje kryeministrin Edi Rama, ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm gjeneral lejtnant Arben Kingji, drejtuesen e SHISH Vlora Hyseni, drejtorin e Policisë së Shtetit Skënder Hita dhe drejtorin e KAYO-s Ardi Veliu, si dhe informacione nga struktura përgjegjëse për industrinë e mbrojtjes, tregtimin e armëve, doganat dhe autoritetet portuale e aeroportuale.
Opozita ka kërkuar edhe dëshminë e Arben Ahmetajt dhe që Komisioni të administrojë dhe verifikojë materialet audio, përfshirë origjinën, kohën, integritetin teknik, identitetin e personave dhe përputhshmërinë me dokumentacionin zyrtar. Sipas kërkesës, Komisioni nuk do të përcaktojë përgjegjësi penale dhe nuk zëvendëson Prokurorinë; objekti i tij mbetet kontrolli parlamentar i veprimtarisë së institucioneve dhe përcaktimi i përgjegjësive eventuale politike dhe institucionale.
Ahmetaj akuzoi një skemë të dyshuar trafiku armësh, përmendi biznesmenin Ron Yefet, kompaninë Timak Defense dhe “konceptin KAYO”, duke pretenduar edhe se disa kompani kanë përfituar fonde publike pa tender. Ai bëri edhe një referencë për sekuestrim raketash nga autoritetet italiane që, sipas tij, mund të kenë lidhje me Shqipërinë. Kërkesa i është dorëzuar kryetarit të Kuvendit dhe pret shqyrtimin parlamentar.

