Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është transferuar nga IEVP Durrës në burgun e Fierit, ku do të qëndrojë për 10 ditë në zonën e observimit, në pritje të vlerësimit nëse ka konflikte të mundshme me të burgosur të tjerë. Nuk ka ende një njoftim zyrtar nga Drejtoria e Burgjeve për arsyet e transferimit, tha gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.
Sipas rregullores së burgjeve, transferimet ndërmjet institucioneve penale kryhen për raste kur i burgosuri paraqet rrezikshmëri për jetën e tij, kur ka konflikte fizike ose kërcënime me të burgosurit e tjerë, kur ka mbipopullim në burgje, për arsye gjykimi ose hetimi, si dhe për rrethana të tjera që lidhen me rrezikshmërinë. Rregullorja përfshin edhe rastet kur të burgosurit largohen papritur nga qelitë e tyre.
Nga informacionet e burimeve brenda burgut të Fierit bëhet me dije se procedura e observimit për Veliajn do të ndjeket edhe për tre shtetas të tjerë: një person i dënuar për aksident me vdekje dhe dy persona për falsifikim dokumentesh. Gjatë periudhës së observimit do të vendoset në cilën qeli do të qëndrojë secili i burgosur dhe me cilët të paraburgosur do të ndajë qelinë.
Largimi i Veliajt nga Durrësi drejt Fierit ndodhi pak orë pasi Gjykata e Lartë mori një vendim lidhur me kallëzimin e tij për kërkesën për hetimin e personit që qëndron pas adresuesit anonim Nesti Angoni. Sipas Anila Hoxhës, Gjykata e Lartë iu dha zgjidhje kallëzimit të Veliajt, duke i dhënë atij një fitore të pjesshme.
Gazetarja theksoi se, deri në një njoftim zyrtar nga Drejtoria e Burgjeve, arsyet e transferimit mbeten të paqartë dhe se masa e observimit do të shërbejë për të përcaktuar nëse ekzistojnë konflikte me persona të caktuar brenda burgut të Fierit.

