Pentagoni nuk bëri publik disa raste të sulmeve iraniane ndaj forcave amerikane dhe dëmet e shkaktuara, raporton New York Times, ndërsa ushtria amerikane konfirmoi se rreth 100 ushtarë janë plagosur gjatë javëve të fundit të konfliktit me Iranin. Sipas zyrtarëve amerikanë që folën në kushte anonimiteti, në javën para sulmit iranian të së premtes në Jordani — ku u vranë dy ushtarë amerikanë dhe një tjetër konsiderohet i zhdukur — Irani kreu tre sulme të tjera ndaj forcave amerikane në rajon. Këto sulme shkaktuan plagosjen e dhjetëra ushtarëve dhe dëmtuan disa helikopterë.
Megjithatë, Pentagoni nuk njoftoi publikisht për këto sulme, viktimat apo dëmet e shkaktuara. New York Times e paraqet çështjen si një përplasje mes nevojës së ushtrisë për ruajtje të sigurisë operacionale dhe detyrimit të qeverisë për të informuar publikun gjatë një konflikti ushtarak. Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha se nuk është e detyruar të publikojë të dhëna për ushtarët e plagosur, sidomos kur ata rikthehen shpejt në detyrë. Një zyrtar ushtarak argumentoi se publikimi i detajeve mund t’i jepte Iranit informacion të dobishëm për të përqendruar sulmet me raketa balistike dhe dronë ndaj bazave amerikane në Lindjen e Mesme.
Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, hodhi poshtë akuzat se ushtria po fsheh të dhënat për dëmtimet e trupave. Ai tha se shumica dërrmuese e ushtarëve të plagosur kanë pësuar vetëm “lëndime të lehta në kokë” dhe se 96% e tyre janë rikthyer në detyrë. Sipas Komandës Qendrore, më shumë se 400 ushtarakë amerikanë janë plagosur që nga fillimi i konfliktit me Iranin, ndërsa Pentagoni ka raportuar periodikisht numrin e të plagosurve që janë rikthyer në shërbim.
Vdekja e dy ushtarëve amerikanë në Jordani dhe e një ushtarakut tjetër në Irakun verior e ka çuar në 17 numrin total të ushtarëve amerikanë të vrarë që prej fillimit të operacioneve ushtarake kundër Iranit më 28 shkurt.

