Operacioni antidrogë i koduar “Rrjedha” u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, në koordinim me Prokurorinë, në kuadër të një hetimi të kryer me metoda proaktive për dokumentimin me prova ligjore të veprimtarisë së dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike.
Si rezultat i ndjekjes dhe ndërhyrjes policore, u arrestua në flagrancë shtetasi I. M., 57 vjeç, banues në Tepelenë. Ai u kap në thellësi të kanioneve në fshatin Progonat, ku kishte kultivuar në vazo 175 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Policia njoftoi se bimët janë asgjësuar.
Operacioni dhe arrestimi vijnë si përfundim i veprimeve hetimore të organizuara për sigurimin e provave ligjore kundër personit të dyshuar për kultivim të bimëve narkotike. Materialet procedurale të përgatitura nga policia iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprime të mëtejshme ligjore.
Autoritetet pohojnë se kontrollet anticannabis do të vazhdojnë në të gjithë territorin e qarkut, në kuadër të përpjekjeve për goditjen e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

