Sipas një analize të Axios, një marrëveshje e mundshme midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për të dhënë fund konfliktit ka vënë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në një pozicion të ndërlikuar politik dhe diplomatik. Raportohet se presidenti amerikan Donald Trump i ka thënë Netanyahut se Uashingtoni është pranë një marrëveshjeje me Teheranin, duke e përshkruar atë, sipas një zyrtari amerikan të cituar nga Axios, si “një marrëveshje shumë e mirë” dhe se ka ardhur koha për t’i dhënë fund luftës. Gjatë bisedës, Netanyahu ka pranuar se nuk ka mundësi ta ndalojë marrëveshjen, por ka kërkuar që interesat e sigurisë së Izraelit të merren parasysh në çdo ujdi përfundimtare.
Raporti përmend se Izraeli kishte shqyrtuar më parë opsione ushtarake kundër infrastrukturës iraniane, por se këto plane janë ndaluar nga administrata amerikane. Zyrtarët izraelitë, sipas analizës, nuk kanë bërë kritika të hapura ndaj Shteteve të Bashkuara, megjithatë ekzistojnë shqetësime të forta se një marrëveshje e tillë mund t’i jepte Iranit hapësirë për të u forcuar ekonomikisht pa bërë lëshime të mjaftueshme në programin bërthamor.
Nga ana e tyre, Shtetet e Bashkuara kanë theksuar se çdo përfitim ekonomik për Teheranin do të varet nga përmbushja e detyrimeve të marrëveshjes. Analiza gjithashtu nënvizon se tensionet rajonale mbeten faktor i rëndësishëm, duke përfshirë situatën në Liban dhe përplasjet me Hezbollahun, të cilat mund të ndikojnë në zbatimin e një marrëveshjeje të tillë.
Për Netanyahun, sipas Axios, një marrëveshje që do t’i vinte fund konfliktit pa arritur objektivat strategjike të Izraelit paraqet një sfidë serioze politike dhe gjeopolitike. Raporti nxjerr në pah tensionin midis presionit ndërkombëtar për zgjidhje diplomatike dhe shqetësimeve të sigurisë që Izraeli kërkon të mbrojë gjatë çdo procesi negociator.

