Presidenti Bajram Begaj zhvilloi një vizitë në Plavë dhe Guci, ku u takua me përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe mori pjesë në manifestimin “Mirë se vini në Alpet Shqiptare–Vuthaj 2026”. Gjatë aktivitetit, Kreu i Shtetit theksoi se ky eveniment shërben si një urë që lidh shqiptarët me vendlindjen, si dhe si një mjet për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe forcimin e lidhjeve ndër breza.
Në fjalën e tij, Presidenti Begaj evidentoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës, traditave dhe kulturës shqiptare, duke vënë në dukje kontributin e komunitetit të Plavës dhe Gucisë në mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe në zhvillimin e Malit të Zi. Ai përshkroi Alpet Shqiptare si pjesë të historisë dhe karakterit të shqiptarit, si dhe si mjedis ku është ruajtur një mënyrë e veçantë jetese në harmoni me tokën, familjen dhe njëri-tjetrin.
Cituar në fjalën e tij: “Alpet Shqiptare janë një pjesë e historisë së shqiptarit, e karakterit dhe e mënyrës se si kemi ditur të jetojmë në harmoni me tokën, me familjen dhe me njëri-tjetrin. Në këto male janë ruajtur zakone, këngë, veshje e mënyra jetese që i japin identitet kulturës sonë kombëtare. Kush vjen këtu nuk gjen vetëm bukuri, por edhe kujtime dhe një mënyrë jetese që ruan ende lidhjen e ngushtë mes njeriut dhe natyrës, mes traditës dhe së ardhmes”.
Gjatë manifestimit u vendos vëmendje te roli i traditave kulturore dhe i gjuhës në sigurimin e vazhdimësisë së identitetit kombëtar, si dhe te kontributi i diasporës dhe i komuniteteve lokale për ruajtjen e këtyre vlerave. Në kuadër të ngjarjes, Presidenti Bajram Begaj u nderua me çmimin “Krenaria e Alpeve Shqiptare”, një vlerësim për kontributin e tij në mbrojtjen e interesave kombëtare dhe për mbështetjen e shqiptarëve në vendet ku jetojnë. Lajmi është bërë i ditur nga Top Channel.

