Policia e Tiranës zhvilloi një operacion të posaçëm kontrollesh dhe punë operative intensive për lokalizimin dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, duke arrestuar tetë persona të dyshuar ose të dënuar për vepra të ndryshme penale, nga krimet e rënda dhe armëmbajtja pa leje, te prodhimi dhe shitja e narkotikëve, vjedhja dhe falsifikimi i dokumenteve. Gjatë kontrolleve, njërit prej personave të kërkuar iu gjet dhe iu sekuestrua sasi Cannabis Sativa, e cila u marrë si provë materiale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda kundër Personit dhe Pronës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, vunë në pranga K. T., 39 vjeç, me masë sigurie “Arrest në burg”, i akuzuar për “Vrasja me dashje” (mbetur në tentativë) dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale u arrestua E. B., 31 vjeç, i dënuar me 2 vjet burg për “Plagosja e rëndë me dashje”.
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike, me Komisariatin Nr. 3, arrestoi N. M., i dënuar me 4 muaj burg për “Falsifikimi i dokumenteve”. Komisariati Nr. 1 ndaloi S. V., 18 vjeç, i kërkuar nga DVP Elbasan për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Komisariati Nr. 2, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, arrestoi K. Xh., i dënuar me 3 muaj burg për “Vjedhja”.
Shërbimet e Komisariatit Nr. 3, gjithashtu në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, vunë në pranga R. L., 26 vjeç, i dënuar me 3 muaj burg për “Prishja e qetësisë publike” — nga ky dënim i kanë mbetur për të vuajtur 1 muaj e 3 ditë burgim. Po nga Komisariati Nr. 3 u arrestua edhe O. N., 30 vjeç, me masë sigurie “Arrest në burg”, për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Komisariati Nr. 6 ndaloi K. M., 29 vjeç, i kërkuar për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; gjatë ndalimit i gjet dhe iu sekuestrua sasi lënde e dyshuar Cannabis Sativa. Materialet procedurale lidhur me rastet u referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

