Në debatit publik “(Mos)zbatimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve: Zgjidhjet dhe pasojat”, organizuar nga Lëvizja Studentore dhe Demokracy Lab, përfaqësuesi i Lëvizjes Studentore në Maqedoninë e Veriut, Mevlan Ademi, përshkroi përpjekjet disamujore të studentëve për të siguruar mundësinë e mbajtjes së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe sfidat institucionale të hasura gjatë procesit. Ai theksoi se kërkesa nisoria u paraqit në rrugë institucionale në prill 2024 dhe nuk ishte produkt i protestave, por një kërkesë e vazhdueshme për respektimin e të drejtave kushtetuese.
Ademi bëri bilancin e kontakteve institucionale: thanë se ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Krenar Lloga, kishte proceduar një zgjidhje ligjore në Kuvend në përputhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, por këto projektligje u tërhoqën pas ndryshimit të qeverisë dhe nuk u miratuan. Më tej, me ndërmjetësimin e Ambasadorit Meidani, studentët zhvilluan takime me zëvendëskryeministrin Arben Fetai, kryetarin e Kuvendit Afrim Gashi dhe përfaqësues të tjerë të lartë, ku morën premtime që mbetën pa epilog dhe pa rezultate konkrete. Pas dorëzimit të peticionit, ata zhvilluan takime me deputetë, përfaqësues institucione dhe deri te Kryeministri, por u përballën me zvarritje burokratike, mesazhe kontradiktore dhe mungesë vullneti për zgjidhje.
Sipas Ademinit, vonesat shpesh dukeshin të qëllimshme, çka çoi në protesta paqësore. Studentët u përballën me etiketim, baltosje, akuza për interesa të fshehta dhe sulme personale që synuan të përçanin lëvizjen, por përballë këtyre sfidave uniteti dhe vendosmëria iu forcuan. Ky proces, shtoi ai, nxori në pah një problem më të gjerë: zbatimi të pjesshëm ose selektiv i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve sipas interpretimeve arbitrare dhe vullnetit të titullarëve institucionalë.
Kërkesa tani është shndërruar në një apel parimor për zbatim të plotë, konsekuent dhe pa ekuivok të ligjit. Ademi shprehu falënderime për Ambasadorin Meidani, Ambasadën e BE-së dhe Ambasadorin Roças, Ambasadën e Italisë dhe Ambasadorin Paolo Palminteri, si dhe përfaqësues të ambasadave franceze e britanike për dëgjimin dhe mbështetjen. Studentët do të vazhdojnë të kërkojnë zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme, duke qenë të gatshëm për dialog me profesorë, ekspertë, institucione dhe shoqërinë civile.

