Ish-prokurori Eugen Beci, në emisionin “Top Story” me Grida Dumën, komentoi dosjen që lidhet me deputeten e Partisë Socialiste, Sara Mila, duke ngritur pyetje mbi rrethanat e çështjes dhe për zhvillimet e mundshme të hetimit. Beci tha se mund të ketë edhe kallëzime të tjera nga qytetarë që kanë ndjerë se janë përfshirë në skema të blerjes së votës gjatë fushatës zgjedhore.
Ai vuri në dukje habinë pse një person që mund të jetë nën dyshime ka zgjedhur të paraqitet vetëm në Prokurorinë e Posaçme, duke përshkruar një përshkrim të procesit hetimor: “Kjo është një ngjarje e parë. Këto që përfundojnë me masa sigurie, kështu fillojnë. Fillimisht dalin me deklarata pasi dalin nga SPAK, dhe më pas përfundojnë në gjyq. Sot mund të shkosh të bësh deklarime, por nëse i bën në gjendje të lirë, pas dy javësh je i detyruar të marrësh avokatin”.
Beci theksoi gjithashtu se dyshimet ndaj rastit janë ngritur edhe nga publiku dhe opozita, duke u ndalur te numri i votave të marra nga një person jo shumë i njohur në politikë. “Si mundet një person anonim të marrë aq shumë vota? Është dyshimi i parë që krijohet. Po të ishte për dikë tjetër të njohur, nuk do të dyshonim. Është një person i panjohur politik dhe prandaj krijohet dyshimi se është futur një element tjetër i paligjshëm”, tha ai.
Për sa i përket mundësisë që Prokuroria e Posaçme të vendosë masa sigurie, Beci shprehu skepticizëm, duke iu referuar historikut të institucionit dhe dënimit ligjor të parashikuar për veprën penale në fjalë. Ai tha se, meqë dënimi është deri në pesë vjet, nuk priste që të vendoseshin masa sigurie: “Duke pasur në konsideratë edhe historikun e Prokurorisë së Posaçme, a do të kemi masa sigurie? Besoj se jo, sepse dënimi është deri në 5 vjet”.
Pjesa e tekstit buron nga Top Channel.

