Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) disa aparatura kyçe janë jashtë funksionit. Akseleratori linear që ofronte shërbime radioterapie dhe radiokirurgjie ka dalë jashtë funksionit që në dhjetor 2023, ndonëse jeta standarde e një pajisjeje të tillë është 10–12 vjet. Në të njëjtin institucion janë konstatuar probleme edhe me angiografinë dhe me mikroskopët e sallave operatore.
Burime të besueshme të citura nga Inside Story thonë se edhe urgjenca e re, një godinë e inauguruar në 2023 që kushtoi 17.8 milionë euro, ka probleme; skaneri i urgjencës nuk punon prej dy vitesh. Sipas burimeve, edhe shërbime të tjera kanë aparatura jashtë funksionit. Në një përgjigje me shkrim për Inside Story, QSUT-ja pranon tërthorazi se urgjenca ende nuk është e mbuluar nga kjo pajisje diagnostikuese thelbësore.
QSUT njofton se “SUNT disponon aktualisht shtatë pajisje CT, të cilat mbulojnë nevojat diagnostikuese të shërbimeve të ndryshme.” Institucioni thotë se ka përfunduar procedurën e prokurimit për një pajisje CT të dedikuar për Urgjencën dhe se instalimi dhe vënia në funksion janë planifikuar brenda vitit 2026.
Lidhur me mosfunksionimin e akseleratorit linear për neuroshkencën që nga 2023, QSUT shpjegon se prodhuesi e ka klasifikuar modelin përkatës me statusin “End of Life” dhe “End of Support”. Sipas institucioni, trajtimi i pacientëve është kryer dhe në buxhetin e vitit 2026 është parashikuar blerja e një akseleratori linear të ri, të dedikuar për Neuroshkencën.
Përsa i përket angiografisë, QSUT e përshkruan atë si teknologji të avancuar. Nga katër mikroskopë kirurgjikalë që disponon shërbimi, njëri është i gjeneratës së fundit dhe u vendos gjatë vitit 2025. Ndërkaq, shërbimi i trombektomisë ka rifilluar funksionin pas shumë vitesh ndërprerje dhe ka realizuar rastet e para të trajtimit.

