Giorgia Meloni paralajmëroi në maj të vitit të kaluar se deepfake-et janë “një mjet i rrezikshëm” pasi një fotografi e manipuluar e saj u përdor për ta diskredituar. Pas atij incidenti, kryeministrja italiane ka ndërmarrë një hap konkret: ajo ka depozituar timbrin e saj vokal pranë Zyrës së Bashkimit Europian për Pronësinë Intelektuale (EUIPO), siç konfirmoi Palazzo Chigi.
Regjistrimi i një marke zanore apo vokale i jep Melonit të drejtën ekskluzive të përdorimit të zërit të saj në të 27 vendet e Bashkimit Evropian. Qëllimi i këtij veprimi është parandalimi i përdorimit mashtrues të zërit të kryeministres, i falsifikuar përmes inteligjencës artificiale, për qëllime ekonomike, politike apo diplomatike.
Meloni ka qenë disa herë objekt i manipulimeve dixhitale. Pesë vjet më parë fytyra e saj u përdor në një video pornografike të fabrikuar, ndërsa korrikun e kaluar një video e manipuluar me AI e paraqiti atë si figurë të Romës së lashtë, në skena ku liderët e opozitës u hidhnin tek luanët. Këto raste kanë nxitur masa të ndryshme kundër abuzimeve me teknologji dixhitale në Itali.
Në nivel ligjor, Italia ka forcuar rregullimin përballë abuzimeve me inteligjencën artificiale. Ligji-kuadër i miratuar në vitin 2025 penalizon shpërndarjen mashtruese të përmbajtjeve deepfake dhe përdorimin e AI-së që cënon sigurinë apo integritetin e personave. Për manipulimin e përmbajtjeve me inteligjencë artificiale, kur shtrembërohet realiteti dhe dëmtohet besimi i qytetarëve, parashikohen dënime nga një deri në pesë vjet burg.
Përveç ligjit të miratuar, në Parlament vazhdon shqyrtimi i një tjetër projektligji që synon mbrojtjen më të gjerë të identitetit personal ndaj teknologjive të inteligjencës artificiale, me vëmendje të veçantë te fenomeni i deepfake-ve.

