Policia e Fierit finalizoi operacionin e koduar “No Games”, duke goditur një ambient ku dyshohet se organizoheshin lojëra fati në mënyrë të kundërligjshme. Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, në kuadër të kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative.
Gjatë ndërhyrjes në një lokal në lagjen “Kastriot” të Fierit, të marrë me qira dhe të administruar nga shtetasja Dh. Sh. G., u zbulua një dhomë e përshtatur për zhvillimin e lojërave të fatit, që dyshohet se organizoheshin nga shtetasi R. C. Në vend u kapën në flagrancë 16 persona që po kryenin lojëra fati. Në pranga përfunduan dy shtetas: R. C., 43 vjeç, banues në Tiranë, dhe Dh. Sh., 49 vjeçe, banueses në Fier.
Për veprime të mëtejshme penale u proceduan në gjendje të lirë 16 shtetasit e kapur, të identifikuar me inicialet dhe moshat e mëposhtme: K. Ç., 38 vjeç; D. K., 44 vjeç; A. V., 39 vjeç; K. H., 45 vjeç; L. M., 42 vjeç; F. A., 59 vjeç; A. I., 37 vjeç; O. M., 37 vjeç; K. H., 49 vjeç; D. V., 46 vjeç; E. B., 40 vjeç; D. V. (T.), 31 vjeç; L. Xh., 39 vjeç; V. T., 35 vjeç; F. P., 41 vjeç; dhe S. D., 28 vjeç. Të proceduarit janë banues në Fier, Tiranë, Durrës, Korçë dhe Berat.
Gjatë aksionit forcat e rendit sekuestruan si prova materiale një tavolinë pokeri, një kuti me 500 çipsa, gjashtë pako me letra bixhozi, pesë celularë dhe një shumë prej 8 000 eurosh. Materialet procedurale për rastin i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.

