Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, emëroi Drejtorin e Inteligjencës Kombëtare, Jay Clayton, për të udhëhequr një grup pune të Shtëpisë së Bardhë me fokus në inteligjencën artificiale (IA). Sipas Wall Street Journal, Clayton, i emëruar në krye të Inteligjencës Kombëtare në gusht, do të drejtojë një task-forcë që brenda 120 ditësh pritet të paraqesë një vlerësim mbi rreziqet dhe mundësitë lidhur me zhvillimin e IA-së.
Clayton e përshkroi grupin si një “Forcë Super Inteligjence” dhe tha se objektivi është që Shtetet e Bashkuara të ruajnë pozicionin udhëheqës në zhvillimin e IA-së, duke mbrojtur njëkohësisht interesat amerikanë. Ai theksoi shqetësimin se rreziku që SHBA-ja të mos jetë vendi i parë në zhvillimin e teknologjive të avancuara të inteligjencës artificiale është i madh.
Task-forca do të propozojë gjithashtu masa për adresimin e kërcënimeve që IA mund t’i paraqesë shoqërisë. Njëkohësisht, administrata Trump synon të shmangë rregullimin e tepërt të sektorit dhe fenomenin e ashtuquajtur “kapje rregullatore”, me argumentin se këto praktika mund të dëmtojnë inovacionin dhe konkurrencën. Sipas zyrtarëve të cituar nga Wall Street Journal, pjesa më e madhe e menaxhimit të rreziqeve të IA pritet t’i lihet industrisë, ndërsa qeveria do të bashkëpunojë me kompanitë që operojnë në këtë sektor.
Çështja e sigurisë së inteligjencës artificiale është rritur në rëndësi në debatin publik në SHBA. Disa studiues kanë paralajmëruar për rreziqet që mund të sjellë zhvillimi i teknologjive gjithnjë e më të avancuara, dhe shqetësime e thirrje për masa janë shprehur nga ligjvënës si nga radhët e demokratëve, ashtu edhe të republikanëve. Trump ka mbajtur qëndrim skeptik ndaj rregullimit të fortë të IA-së, duke argumentuar se mbikëqyrja e tepërt mund të dobësojë aftësinë e SHBA-së për të konkurruar me Kinën në këtë sektor strategjik.
Në grupin e punës pritet të përfshihen, ndër të tjerë, Zëvendëspresidenti J.D. Vance, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, Sekretari i Thesarit Scott Bessent dhe Shefja e Shtabit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles. Burimi i lajmit është Wall Street Journal dhe përpunimi i tekstit për publikim është nga Top Channel.

