Argjentina e Lionel Scalonit triumfoi 7-0 kundër Burkina Fasos në një ndeshje miqësore të luajtur në fushën e Monumental të Buenos Aires, duke shfaqur dominim të plotë ndaj një skuadre që nuk kundërshtoi në asnjë moment. Sfida u shndërrua në një monolog të Albiceleste, ndërsa Burkina Faso paraqiti një formacion të përbërë tërësisht nga lojtarë të kategorisë U23, të detyruar nga një situatë e brendshme: titullarët bojkotuan për shkak të mosmarrëveshjeve për kompensimet, dhe ekipi përjetoi një odisesë udhëtimi që zgjati rreth 12 orë dhe u mbyll vetëm pesë orë para startit të ndeshjes.
Golin e parë e realizoi Lautaro Martínez në minutën e katër të takimit, dhe pak më vonë rezultati u dyfishua pas një autogoli të mbrojtësit Dialo. Më pas u shënua edhe një gol nga Prestiannit. Pak para mbylljes së pjesës së parë, Argjentina rriti avantazhin me dy golat e radhës nga Nico Paz dhe Julián Álvarez, duke shkuar në pushim me një epërsi të thellë.
Në pjesën e dytë ritmi i lojës ra, kryesisht për shkak të zëvendësimeve që bëri trajneri, por gjithsesi Argjentina arriti të shënonte edhe dy herë të tjera. Golat e fundit erdhën nga Mastantuono dhe Giuliano Simeone, që vulosën fitoren e thellë 7-0. Ndeshja shërbeu si një mundësi për provë të elementeve të ndryshëm të ekipit para angazhimeve të radhës.
Pas kësaj fitoreje, Albiceleste përqendrohen te sfida e ardhshme ndaj Beninit, ndeshje e cila shënon lamtumirën e Lionel Messit nga kombëtarja. Përballja kundër Burkina Fasos, përveç rezultatit të thellë, do të mbahet mend edhe për rrethanat e pazakonta të skuadrës afrikane dhe për përgatitjet e shkurtra që ata patën përpara ndeshjes. Top Channel.

