Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, emëroi Drejtorin e Inteligjencës Kombëtare, Jay Clayton, për të udhëhequr një grup pune të Shtëpisë së Bardhë të fokusuar te inteligjenca artificiale (IA). Sipas Wall Street Journal, Clayton, i emëruar në krye të Inteligjencës Kombëtare në gusht, do të drejtojë një task-forcë që brenda 120 ditëve pritet të paraqesë një vlerësim mbi rreziqet dhe mundësitë e lidhura me zhvillimin e IA-së.
Clayton e ka përshkruar grupin si një “Forcë Super Inteligjence” dhe ka theksuar se qëllimi kryesor është që Shtetet e Bashkuara të ruajnë pozicionin udhëheqës në zhvillimin e inteligjencës artificiale, ndërkohë që mbroni interesat amerikane. Ai ka paralajmëruar se rreziku që SHBA të mos jenë vendi i parë në zhvillimin e teknologjive të avancuara të IA-së është i madh.
Task-forca duhet gjithashtu të propozojë masa për adresimin e kërcënimeve që inteligjenca artificiale mund t’i paraqesë shoqërisë. Administrata Trump synon të shmangë rregullimin e tepërt të sektorit dhe atë që e përshkruan si “kapje rregullatore”, me argumentin se mbikëqyrja e tepruar mund të dëmtojë inovacionin dhe konkurrencën. Zyrtarë të cituar nga Wall Street Journal thonë se pjesa më e madhe e menaxhimit të rreziqeve të IA-së pritet t’i lihet industrisë, ndërsa qeveria do të bashkëpunojë me kompanitë që operojnë në këtë sektor.
Çështja e sigurisë së inteligjencës artificiale ka marrë vëmendje të shtuar në debatin publik në SHBA, pasi disa studiues kanë paralajmëruar për rreziqet e teknologjive gjithnjë e më të avancuara. Shqetësime dhe thirrje për masa janë shprehur nga ligjvënës, si nga demokratët, ashtu edhe nga republikanët. Trump ka mbajtur qëndrim skeptik ndaj rregullimit të fortë të IA-së, duke argumentuar se mbikëqyrja e tepërt mund të dobësojë aftësinë e SHBA-së për të konkurruar me Kinën në këtë sektor strategjik.
Në grupin e punës pritet të përfshihen, ndër të tjerë, Zëvendëspresidenti J.D. Vance, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, Sekretari i Thesarit Scott Bessent dhe Shefja e Shtabit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles.

