Cristiano Ronaldo raportohet të ketë kërkuar një takim me drejtuesit e Federatës së Portugalisë pasi qëndroi në stol gjatë gjithë ndeshjes së fituar 2-1 ndaj Norvegjisë në Nations League. 41-vjeçari ishte një zëvendësues i papërdorur, një rast i pazakontë për të; sipas raportimeve kjo ishte hera e parë në 18 vite që Ronaldo nuk luajti asnjë minutë për kombëtaren, edhe pse ishte pjesë e skuadrës së grumbulluar.
Trajneri i ri Jorge Jesus kishte menduar fillimisht ta aktivizonte për rreth 30 minuta, por në fund vendosi ta mos fusë në lojë. Gonçalo Ramos nisi si titullar dhe u zëvendësua vetëm në minutën e 81-të, kur Jesus preferoi të bëjë ndryshimin me Francisco Trincão. Vendimi ka shkaktuar pakënaqësi te Ronaldo dhe, sipas gazetës portugeze Record, presidenti i Federatës Portugeze të Futbollit, Pedro Proença, ka ndryshuar planet e tij të udhëtimit për të marrë pjesë në një takim të përbashkët me Ronaldon dhe Jorge Jesus.
Takimi pritet të zhvillohet për të diskutuar situatën dhe të ardhmen e kapitenit të Portugalisë në kombëtare. Ronaldo vazhdon të insistoje se ka ende shumë për t’i dhënë përfaqësueses: ai ka shënuar 146 gola me ekipin kombëtar, rekord absolut, dhe në total karriere figuron me 979 gola, vetëm 21 rrjeta larg shifrës së 1000 golave. Vetë Ronaldo ka deklaruar së fundmi se do të vazhdojë të luajë për Portugalinë për sa kohë që beson se mund ta ndihmojë ekipin, jo vetëm me golat, por edhe me përvojën e tij.
Lidhjet midis Jesus dhe Ronaldos janë të njohura, pasi kanë punuar së bashku te Al-Nassr. Trajneri portugez kishte thënë më parë se, për sa kohë Ronaldo është në gjendje të luajë dhe plotëson kriteret e përzgjedhjes, ai do të jetë pjesë e planeve të tij për kombëtaren. (Top Channel)

