Shqipëria mbylli tremujorin e dytë të vitit 2026 me një bilanc pozitiv në energji, si pasojë e rritjes së prodhimit vendas, uljes së importeve dhe shtimit të eksporteve. Sipas INSTAT, prodhimi neto vendas në periudhën prill–qershor arriti 2,361 GWh, një rritje prej 34.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Konsumi për këtë tremujor ishte 1,619 GWh, ose 6.2% më shumë se një vit më parë.
Rritja e prodhimit erdhi kryesisht nga hidrocentralet: prodhimi i HEC-eve publike u rrit me 43.6%, ndërsa ai i hidrocentraleve private dhe koncesionare me 18%. Burimet e tjera të rinovueshme, kryesisht prodhimi fotovoltaik, shënuan gjithashtu rritje të konsiderueshme, duke prodhuar 448 GWh gjatë tre muajve, ose 55.6% më shumë se një vit më parë, dhe duke përbërë 19% të prodhimit vendas gjatë tremujorit. Megjithatë, hidroenergjia vijon të dominojë, duke e bërë vendin të varur nga sezonaliteti.
Në këtë kontekst, importet bruto ranë me 21.5%, duke zbritur në 569 GWh, ndërsa eksportet u rritën me 55.4% duke arritur 991 GWh. Bilanci i shkëmbimeve me jashtë rezultoi pozitiv me rreth 422 GWh për prill–qershor. Por vetëm pak javë pas përfundimit të tremujorit të favorshëm, thatësira dhe temperaturat e larta kanë rikthyer nevojën për blerje energjie nga jashtë.
Në fund të gushtit, KESH zhvilloi dy ankande për blerje energjie, duke siguruar rreth 110,000 MWh deri më 30 shtator, me një kosto prej 16.2 milionë eurosh. Thatësira ka ndikuar edhe në nivelin e liqenit të Fierzës, i cili ka rënë ndjeshëm nën nivelin 275 metra; sasia e ujit që po mbërrin në liqen është shumë më e ulët se kapaciteti i shkarkimit të hidrocentralit, çka tregon presion mbi rezervën hidrike të Fierzës.
Në këtë situatë mbetet e hapur roli i dy TEC-eve lundruese në Vlorë, “Tigri 1” dhe “Tigri 3”. Këto impiante, projektuar për të furnizuar në periudhat e mungesës, kanë dhënë një kontribut të kufizuar në prodhimin total: rreth 1% në 2025 (77,000 MWh). Sipas KESH, nga shtatori 2024 deri më 12 gusht 2026 prodhimi kumulativ i tyre arriti 109,000 MWh.

