Kreditimi po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në ekonominë shqiptare, ndërkohë që bizneset kërkojnë financim për investime dhe zgjerim, dhe familjet rrisin huamarrjen, veçanërisht për blerjen e banesave. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se viti 2026 shoqërohet me një rritje të vrullshme të kredisë së dhënë nga bankat. Për herë të parë, stoku total i kredisë për ekonominë në korrik arriti në 1 trilion e 710 mln lekë, ose rreth 10.8 miliardë euro, që përfaqëson totali i financimit për bizneset, korporatat publike dhe individët.
Vlera e kredisë së re të dhënë gjatë shtatë muajve të parë të vitit u ngjit në 261.1 miliardë lekë, nga 231.8 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke regjistruar një rritje prej 12.6%. Bizneset vazhdojnë të marrin pjesën kryesore të financimit bankar: vetëm gjatë korrikut, kreditë e reja për korporatat private arritën në 24.2 miliardë lekë, krahasuar me 19.1 miliardë lekë një vit më parë, një rritje rreth 26.8%.
Rritja e huamarrjes nga individët është edhe më e fortë. Kreditë e reja për individët ishin 13.9 miliardë lekë gjatë korrikut, rreth 42% më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, dhe ky është niveli më i lartë i regjistruar për një muaj korrik në periudhën e të dhënave të publikuara. Një nga shtytësit kryesorë të këtij rritjeje janë kreditë për blerjen e banesave: gjatë shtatë muajve të parë të vitit, qytetarët morën 41.9 miliardë lekë kredi për blerjen e shtëpive, nga 40.8 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me një rritje më të fuqishme gjatë korrikut.
Të dhënat tregojnë se kreditimi është zgjeruar në të gjithë sektorët e ekonomisë, kryesisht në monedhën vendase. Rritja e kredisë për biznese dhe familje sinjalizon një kërkesë më të lartë për financim, ndërsa dinamika e kredive për banesa tregon se tregu i pronave mbetet një nga drejtimet kryesore ku po kanalizohet huamarrja e qytetarëve.

