Një grua 80-vjeçare me inicialet L.D. është gjetur pa shenja jete rreth orës 01:30 në banesën e saj në Prizren, njoftoi zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi. Pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur patrullat policore dhe ekipi i urgjencës mjekësore, të cilët kanë konstatuar vdekjen e saj.
Në banesë është gjetur edhe bashkëshorti i viktimës, rreth 81 vjeç me inicialet B.D., i cili është shoqëruar në stacionin policor. Hetuesit e policisë, forenzika dhe ekspertët e mjekësisë ligjore kanë ekzaminuar vendin e ngjarjes, ndërsa nga hetimi paraprak ka lindur dyshimi se mund të jetë kryer vepra penale “Vrasje e rëndë”. Sipas policisë, dyshohet që lëndimet e evidentuara në trupin e viktimës janë shkaktuar nga forca duarthatë, pa përdorim të ndonjë arme ose mjeti tjetër, sipas deklarimit të zyrtarit të policisë.
Trupi i 80-vjeçares është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për t’i nënshtruar ekzaminimit mjekoligjor. Bashkëshorti i saj është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë.
Policia njofton se çifti nuk kishte pasur më parë raste të raportuara të dhunës. Në momentin e ngjarjes, sipas hetuesve, ata ndodheshin vetëm në banesë. Hetimet vazhdojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar motivin e dyshuar të krimit. Top Channel.

