Ministria e Mbrojtjes bën bilancin e ditës lidhur me vatrat aktive të zjarreve: 8 vatra mbeten aktive në qarqet Tiranë, Fier, Durrës, Gjirokastër dhe Dibër. Në operacionet e menaxhimit janë angazhuar 165 forca operacionale, përfshirë 85 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa janë zhvilluar 7 misione ajrore me helikopterë dhe 2 misione me avionë Air Tractor.
Në malin e Dajt, bashkia Tiranë, zjarri u riaktivizua në pyllin me pisha mbi tunelet e Qafë Mollës. Në terren janë angazhuar 22 forca të MZSH-së dhe ADZM-së Tiranë, dhe operacioni po mbështetet nga helikopteri i Forcave të Armatosura. Në Priskë të Madhe puna për shuarjen vijon dhe aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Drenie, bashkia Patos, vatra që ishte nën kontroll u riaktivizua në thellësi të pyllit; operacioni mbështetet nga 2 avionë Air Tractor dhe raportohen përmirësime në këtë zonë. Në Krujë, ende po punohet në dy vatra aktive: në lagjen Abaze zjarri pati përhapje të favorshme nga era, por aktualisht nuk paraqet rrezik për zonat e banuara. Ndërsa në zonën Krastë–Halil situata u përkeqësua në orët e para të mëngjesit duke rritur rrezikun për banesat; ndërhyrja me 2 helikopterë normalizoi situatën dhe forcat operacionale vazhdojnë punën për kontrollin dhe shuarjen e plotë të vatrës.
Në malin e Nëmerçkës, bashkia Përmet, operacioni i shuarjes vijon dhe vatra nuk paraqet rrezik për zonat e banuara. Një vatër e re është evidentuar në malin Dhëmbel, mbi fshatin Badilonjë, ku forcat e MZSH-së Përmet po punojnë për shuarjen e saj. Në Gurë-Lurë, bashkia Dibër, është evidentuar një zjarr në një sipërfaqe me pyll pishe dhe kullotë dhe po punohet intensivisht për shuarjen.
AKMC dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile mbeten në gatishmëri të plotë, duke vijuar monitorimin dhe koordinimin e operacioneve në terren, me fokus në vatrat që paraqesin rrezik për përhapje dhe për zonat e banuara.

