Më shumë se 800 zjarre pyjore vazhdojnë të digjen në Kanada, ndërsa tymi ka përkeqësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit në disa regione të vendit dhe në veri të Shteteve të Bashkuara. Sipas Qendrës Kanadeze Ndëragjencore të Zjarrit Pyjor, aktualisht janë aktive 857 vatra, përfshirë 23 zjarre të reja të regjistruara të enjten, dhe shumica vazhdojnë të jenë jashtë kontrollit, njofton Sistemi Kanadez i Informacionit për Zjarret në Natyrë.
Autoritetet amerikane kanë lëshuar alarme për cilësinë e ajrit dhe kanë bërë thirrje për kufizim të aktiviteteve në ambiente të hapura në disa shtete. Programi amerikan i Indeksit të Cilësisë së Ajrit ka klasifikuar ajrin si “të rrezikshme” në pjesë të Miçiganit dhe Minesotës. Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA-së (NOAA) përmend se alarmet përfshijnë rajonin e Midwest-it të Sipërm, Liqenet e Mëdha dhe verilindjen e vendit.
Re të dendura tymi, kryesisht nga zjarret në veriperëndim të Ontarios, kanë mbuluar qytete si Thunder Bay dhe Toronto; tymi është përhapur mbi Liqenet e Mëdha dhe deri në Nju Jork, duke krijuar qiell të mjegullt dhe duke rritur përqendrimin e ndotësve në ajër. Meteorologët parashikojnë stuhi në Ontario në ditët në vijim, por pritet që reshjet të jenë të pamjaftueshme për të ndikuar ndjeshëm në shuarjen e zjarreve. Erërat veriperëndimore do të vazhdojnë të transportojnë tymin drejt shteteve veriore të SHBA-së gjatë fundjavës, me shqetësime se mund të ndikojë edhe në New Jersey, ku do të zhvillohet finalja e Kupës së Botës. Një ndryshim i drejtimit të erës në fillim të javës së ardhshme pritet të përmirësojë gradualisht cilësinë e ajrit në jug të kufirit.
Sipas kompanisë IQAir, Detroit ka aktualisht cilësinë më të keqe të ajrit në botë, i ndjekur nga Minneapolis dhe Toronto. Situata ka nxitur reagime politike: katër ligjvënës republikanë nga Miçigan i dërguan një letër të hapur kryeministrit kanadez Mark Carney duke kërkuar masa më efektive për menaxhimin e zjarreve dhe duke shprehur pakënaqësi për përsëritjen e problemit për të tretin vit radhazi. Ambasadori amerikan në Kanada, Pete Hoekstra, vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve dhe theksoi koordinimin në përpjekjet e përbashkëta për menaxhimin e emergjencave.
Zjarret kanë detyruar qindra banorë të komuniteteve indigjene të Kombeve të Para në Ontarion verior të evakuohen; autoritetet lokale raportojnë dëme të konsiderueshme në banesa dhe ndërtesa. Një video e publikuar tregoi një tren mallrash të rrethuar nga flakët. Hekurudha Kombëtare Kanadeze njoftoi se të gjithë punonjësit e bllokuar u shpëtuan pa lëndime dhe operacionet hekurudhore në rajon janë pezulluar përkohësisht.

