Në Shkodër, në lagjen “Vasil Shanto”, vijojnë veprimet hetimore dhe operacionale për dokumentimin e autorësisë dhe përgjegjësive lidhur me ngjarjen që ndodhi mesditën e sotme. Është lokalizuar dhe vënë në pranga një 18-vjeçar i dyshuar se ka plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin V. K. në ambientet e Poliklinikës. Në pranga është vendosur edhe babai i 18-vjeçarit, si bashkëpunëtor në krim.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, pas kontrolleve intensive dhe veprimeve hetimore e operative, kapën dhe ndaluan personat e përfshirë në ngjarje. Të ndaluarit janë identifikuar si: A. F., 18 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim; “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”; dhe “Prishja e qetësisë publike”; dhe A. M., 53 vjeç, babai i 18-vjeçarit, banues në Shkodër, i ndaluar për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë plagosur me thikë në ambientet e Poliklinikës shtetasin V. K., 32 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Për ngjarjen, më herët shërbimet e Policisë parandaluan një incident të mëtejshëm duke arrestuar në flagrancë shtetasin A. K., 41 vjeç, vëllanë e shtetasit të plagosur.
Materialet procedurale lidhur me ngjarjen janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Lajmi është raportuar nga Top Channel.

