Gjykata në Xhenova ka dënuar ish-drejtorin ekzekutiv të Autostrade per l’Italia, Giovanni Castellucci, me 12 vjet burg për përgjegjësinë në shembjen e urës Morandi më 14 gusht 2018, ngjarje që shkaktoi vdekjen e 43 personave. Vendimi u prit me emocione nga familjarët e viktimave, të cilët u përqafuan pas shpalljes së dënimeve.
Castellucci ishte një nga 57 të pandehurit në proces. Prokurorët kishin kërkuar një dënim më të rëndë, por gjykata vendosi 12 vjet burg. Ish-zyrtari i lartë i kompanisë, Michele Donferri Mitelli, u dënua me 11 vjet burg, ndërsa ish-zëvendësi i Castellucci-t, Paolo Berti, mori një dënim prej pesë vjet e gjysmë. Dënime prej pesë vjet e gjysmë u dhanë edhe për ish-drejtorin ekzekutiv të kompanisë së mirëmbajtjes Spea, Antonino Galatà, ndërsa Mauro Coletta, ish-zyrtar i lartë i Ministrisë së Transportit përgjegjës për mbikëqyrjen e autostradave, u dënuar me pesë vjet burg.
Shembja e urës ndodhi gjatë një stuhie shiu dhe në kulmin e sezonit turistik, kur një pjesë e viaduktit u shemb papritur, duke bërë që dhjetëra automjete dhe kamionë të bien nga lartësia dhe duke shkaktuar 43 viktima. Prokuroria argumentoi se tragjedia ishte pasojë e mosmirëmbajtjes së vazhdueshme të urës dhe neglizhencës në trajtimin e shenjave paralajmëruese për gjendjen e strukturës. Mbrojtja pretendoi se shkaku ishte mangësi në projektimin fillestar të urës dhe mënyra e ndërtimit të kabllove mbajtëse.
Familjarët e viktimave mirëpritën vendimin e gjykatës. Emmanuel Diaz, i cili humbi vëllanë, tha se ishte “shumë i kënaqur” me dënimet, ndërsa Egle Possetti, që humbi disa anëtarë të familjes, e konsideroi dënimin ndaj Castellucci-t “të pranueshëm”. Në prag të vendimit, drejtori aktual i Aspi-t, Arrigo Giana, kërkoi falje publike në emër të kompanisë, duke pranuar se “veprimet dhe vendimet e disa njerëzve lanë plagë të pashlyeshme”. Megjithatë, disa familjarë e vlerësuan kërkimfaljen si të vonuar dhe jo të sinqertë; Cesare Cerulli, që humbi të atin, e cilësoi atë si “lot krokodili”, duke akuzuar drejtuesit për mungesë ndjeshmërie dhe përgjegjshmërie.

