Pamje nga Sheshi Italia tregojnë përgatitjet e podiumit ku sot në orën 18:00 socialistët nga e gjithë Shqipëria do të festojnë 35-vjetorin e Partisë Socialiste. Ngjarja vjen si kulminacion i një turi vlerësimi dhe mirënjohjeje për socialistët e vjetër e të rinj në 12 qarqe për kontributin në dekadat e ekzistencës së partisë.
Gjatë paradites Edi Rama i përcolli socialistëve përmes rrjeteve sociale një urim: “Me urimin për çdo anëtar e anëtare të familjes sonë të madhe politike, në këtë 35-vjetor të Partisë Socialiste, si edhe me bindjen e patundur në misionin tonë historik për të ngjitur Shqipërinë 2030 në majën e Europës së Bashkuar”. Ky përvjetor e gjen Partinë Socialiste në mandatin e katërt qeverisës dhe përkon me një situatë aktuale protestash që kërkojnë largimin nga skena politike të kryeministrit Rama dhe udhëheqësit të opozitës, Sali Berisha.
Pritet që në fjalën e tij kryetari i PS, Edi Rama, të përcjellë mesazhe për ecurinë e partisë dhe projektin në Zvërnec. Do të shihet gjithashtu nëse ai do të adresojë protestuesit, të cilët pritet të jenë rreth 500 metra larg nga Sheshi Italia në të njëjtën orë kur Rama do të mbajë fjalën përshëndetëse.
Ky 35-vjetor shënon mungesën e dy figurave të rëndësishme të partisë, Fatos Nanos dhe profesor Servet Pëllumbit, të ndarë së fundmi nga jeta. Për mbarëvajtjen e aktiviteteve, Policia e Tiranës njoftoi se nga ora 16:00 e deri në përfundim të tubimeve do të ketë bllokime dhe kufizime qarkullimi në disa akse rrugore. Bllokimet përfshijnë rrugën “Papa Gjon Pali II” deri në rrugën “Ibrahim Rugova”, nga kryqëzimi me rrugën “Libri Universitar” deri te sheshi “Shopen”, si dhe ndalimin e qarkullimit të automjeteve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” deri te sheshi “Nënë Tereza”.
Ngjarja organizohet nga Partia Socialiste dhe është pjesë e aktiviteteve për kremtimin e 35-vjetorit të saj, ndërsa qytetarët dhe pjesëmarrësit paralajmërohen për ndryshime në qarkullim për shkak të tubimeve.

