Në orët e para të kësaj të premteje Prokuroria e Posaçme, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ndërmori një operacion të gjerë kundër një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në trafik droge dhe pastrim parash. Gjykata e Posaçme lëshoi 20 urdhërarreste, nga të cilat vetëm disa u ekzekutuan. SPAK bën me dije se grupi trafikonte kokainë nga Kolumbia, Ekuadori, Bolivia, Porto-Riko dhe Brazili drejt Europës, ndërsa paratë pastroheshin përmes investimeve, kryesisht në sektorin e ndërtimit, ku rezultojnë të përfshirë biznesmenët Ilir Shtufi dhe Artur Shehu.
Ilir Shtufi është përmendur si biznesmen me aktivitet të shtrirë në ndërtim, i njohur për lidhje me Shkëlzen Berishën dhe subjekt hetimesh të mëparshme nga SPAK për tenderin e fituar në lotin 4 të unazës së madhe të Tiranës. Artur Shehu rezulton pronar i pjesës më të madhe të tokës në Zvërnec, ku është planifikuar ndërtimi i një resorti luksoz që ka nxitur protesta të fuqishme në Tiranë që po vijojnë prej 12 ditësh.
Si koka të grupit dyshohen Artur alias Luçiano Koçeku dhe Alfredo Hamzai, të cilët ndodhen jashtë vendit. Drogën e dërgonin kryesisht drejt Belgjikës dhe Holandës përmes kompanive të transportit detar, duke e fshehur si thëngjill druri, pasta frutash ose në pako të fshehura në kontejnerë. Përpunimi dhe ekstraktimi kimik i kokainës kryhej në magazina ose ambiente të marra me qira në këto shtete, prej nga më pas droga shitej në gjithë Europën.
SPAK ka vendosur sekuestro preventive mbi disa kompani, prona të paluajtshme, automjete luksoze dhe llogari bankare të dyshuarve, pasuri që dyshohet se arrijnë mbi 100 milionë euro. Luçiano Koçeku rezulton pronar 100% i shoqërisë ‘G.A.V Invest’, themeluar në 2022, me veprimtari në projektim, ndërtim, prodhim dhe shitblerje materialesh ndërtimi, si dhe aksione me përqindje të ulët në dy kompani të tjera. Janë vendosur sekuestro edhe ndaj disa llogarive bankare të Artur Shehut dhe kompanive të Ilir Shtufit.
Mes personave të përmendur janë biznesmeni Orgest Birçaj, i lidhur me tregtimin e makinave luksoze, dhe Orest Sota, i arrestuar nga SPAK në 2017 kur iu gjetën 863 mijë euro në makinë, çështje që më pas u pushua; Sota ka shkuar para prokurorisë si person me dijeni për hetimet ndaj Akshit. Urdhër arrestet e lëshuara nga GJKKO përfshijnë: Ardian Zykaj, Alfredo Hamzai, Adrian Rama, Erjon Rama, Orgest Bircaj, Orest Sota, Elton Memeti, Artur Shehu, Leonard Bishaj, Arben Ismaili, Edmond Jaupi, Besnik Myftari, Dritan Aga, Luciano Koceku alias Artur Koceku, Dino alias Abedin Koceku, Ervin Koceku, Astrit Vladi, Kastriot Vladi, Gezim Islami, Ilir Shtufi.

