Miliarda euro qëndrojnë të paprekura në llogari bankare të harruara në Gjermani, ndërsa mungesa e një regjistri qendror e vështirëson identifikimin e tyre nga trashëgimtarët. Një raport i Ministrisë gjermane të Kërkimit nga viti 2021 vlerëson se në llogari joaktive mund të gjenden më shumë se katër miliardë euro, ndërsa disa vlerësime e çojnë shumën deri në nëntë miliardë euro. Shumë prej këtyre pasurive mbeten të pazbuluara pas vdekjes së pronarëve.
Përhapja e banking-ut online ka reduktuar dokumentet fizike; informacionet për llogaritë ruhen në e-mail ose pajisje elektronike, gjë që e bën më të vështirë punën e trashëgimtarëve për t’i identifikuar dhe kërkuar fonde të pashfrytëzuara. Në Gjermani nuk ekziston një përkufizim ligjor i qartë për “llogaritë e fjetura”; në praktikë, ato konsiderohen llogari ose investime financiare pa aktivitet për një periudhë të gjatë.
Ekspertët propozojnë krijimin e një regjistri kombëtar për llogaritë e fjetura. Sipas Shoqatës Gjermane të Hulumtuesve të Trashëgimisë, një bazë të dhënash e tillë do t’u mundësonte trashëgimtarëve të verifikonin nëse një person ka pasur llogari bankare apo pasuri financiare të pareklamuara, duke lehtësuar gjetjen e fondeve.
Debati në Gjermani po krahasohet me praktikat ndërkombëtare. Në Mbretërinë e Bashkuar, fondet nga llogaritë e fjetura transferohen pas 15 vjetësh në një fond të posaçëm që financon projekte sociale dhe mjedisore, por pronarët mund t’i kërkojnë ato në çdo kohë; Irlanda ndjek një model të ngjashëm. Në Shtetet e Bashkuara, llogaritë e pashfrytëzuara zakonisht kalojnë nën administrimin e shteteve federale, pa humbur të drejtën e pronësisë. Në Francë dhe Zvicër zbatohen rregulla më të ashpra: pas periudhash të gjata pa aktivitet dhe pa kërkesa nga pronarët ose trashëgimtarët, fondet mund të kalojnë përfundimisht në pronësi të shtetit.
(Top Channel)

