Mëngjesin e sotëm, autoritetet greke sekuestruan rreth 110 kilogramë marijuanë në një operacion të zhvilluar pranë kufirit greko–shqiptar. Kontrolli u krye në një zonë kufitare të Igumenicës, ku policia ndaloi një automjet që dyshohej se ishte ngarkuar në kufirin e gjelbër. Në brendësi të mjetit policia gjeti dhe sekuestroi 102 pako që përmbanin gjithsej 109 kilogramë e 364 gramë marijuanë. Paketat me drogë ishin vendosur në sediljet e pasme dhe në bagazhin e automjetit.
Si pjesë e hetimeve të menjëhershme, në prangat e policisë ranë një shtetas turk 43 vjeç, ndërsa autoritetet po vazhdojnë punën për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të mundshëm. Ngjarja u parapri nga një përqendrim i aksioneve antikanabis nga policia greke në zonën kufitare, me raste të shumta evidentuar veçanërisht në Igumenicë, ku operacionet janë zhvilluar si në rrugë tokësore, ashtu edhe në rrugë detare.
Sipas informacionit zyrtar, që nga shtatori i vitit 2025 policia greke ka sekuestruar mbi 1.1 ton drogë që dyshohet se vinte nga kufiri. Përveç Igumenicës, raste sekuestrimesh janë raportuar edhe në qytete të tjera të vendit, përfshirë Janinën, Selanikun dhe Kosturin, çka tregon një seri aksionesh në pika të ndryshme kufitare dhe brenda territorit grek. Hetimet lidhur me ngarkesat e kapura vazhdojnë, me fokus te rrjetet e mundshme të trafikimit dhe identifikimi i të gjithë personave të përfshirë në transportin dhe shpërndarjen e drogës.
Rasti i sotëm përbën pjesë të një serije sekuestrimesh që autoritetet po përpiqen të ndalojnë dhe të zbardhin, duke vijuar punën për të dokumentuar rrugët e trafikimit dhe për të gjetur bashkëpunëtorët e të arrestuarit të vetëm të identifikuar deri tani.

