Frutat e pyllit po zënë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në dietën ushqimore, ndërsa boronica, mjedra (manaferra) dhe aronia nuk janë më vetëm produkte të egra të mbledhura në bjeshkë, por po kultivohen edhe në parcela nga fermerët vendas. Interesi i lartë i konsumatorëve shpjegohet me vetitë shëndetësore të këtyre frutave, pasi janë të pasura me vitamina dhe antioksidantë dhe kanë nivel të ulët të sheqerit, sipas pedagogu Endri Kullaj.
Mjedra e kuqe po zë vendin e manaferrës së egër dhe po rritet aktualisht kryesisht në zonat e Kukësit, Dibrës dhe Korçës. Fermerët shqiptarë kanë mësuar teknikat e kultivimit nga kolegët e tyre nga Kosova, ku Shqipëria ka qenë një treg i rëndësishëm. Kullaj vlerëson se konsumimi vjetor i mjedrës në Shqipëri arrin rreth 300-400 ton, dhe se këtë sasi mund ta sigurojë lehtësisht prodhimi vendor brenda dy-tri viteve të ardhshme.
Frutat e vogla paraqesin një mundësi ekonomike për familjet në zonat rurale që nuk disponojnë sipërfaqe të mëdha toke. Ato janë të përshtatshme për ferma të vogla familjare dhe mund të sjellin të ardhura të larta: në një dynym sipas Kullajt mund të mblidhen 400-1000 kg mjedra, me një çmim mesatar 5-7 euro, që përbën një të ardhur më të favorshme krahasuar me kultura të tjera.
Kërkesa për këto fruta nuk kufizohet vetëm në sezonin e vjeljes; konsumatorët i kërkojnë gjatë gjithë vitit edhe në formën e produkteve të thata ose të ngrira për përdorim dimëror. Megjithatë, pavarësisht zgjerimit të kultivimit, boronica e Tropojës mbetet produkti më i kërkuar ndër frutat e egra.

