Festivali i Monodramës “Flas Shqip”, i organizuar nga Teatri “Zonja e Bujtinës” dhe qendra teatrore Naum Shundi, rikthehet në edicionin e dytë. Festivali i dedikohet tërësisht dramaturgjisë shqiptare, ashtu sikurse është ideuar nga themeluesi Naun Shundi, që u nda nga jeta një vit më parë.
Drejtuesja e festivalit, Raimonda Shundi, shprehet: “Për mua dhe për ne si teatër, është e trishtë sepse mungon Naun Shundi, por misioni i tij po vazhdon”. Aktori Bujar Asqeriu e kujton themeluesin me fjalët: “E kujtoj me respekt të madh sepse pikërisht këtu në shtëpinë e tij konkretizoi dashurinë e tij për teatrin. Në këtë festival, kemi artistë të shkëlqyer”. Ndërsa aktorja Raimonda Bulku e përshëndeti festivalin nga Vjena, ku interpretoi në natën finale të Eurovision krah Alis Kallaçit.
Programi u çel me monodramën “Dashuri virtuale”, me regji nga Donard Hasani dhe interpretim nga Erand Sojli. Vepra përshkruhet si një dramë emocionale dhe reflektuese që prek realitetin e marrëdhënieve në epokën dixhitale.
Festivali do të përmbyllet më 19 maj në Teatrin Eksperimental. Në mbyllje do të shfaqet “Qeni”, vepra e autorit Naum Shundi, dhe pas saj juria e festivalit do të ndajë çmimet për pjesëmarrësit.

