Aktorja Ema Andrea, mbrëmjen e djeshme në emisionin “Goca dhe Gra”, foli me lot për lidhjen që kishte me vëllanë e saj të ndjerë, gazetarin sportiv Enea Andrea. Ajo tregoi se pas vdekjes së tij lë gjithmonë një karrige bosh për të në premierat e shfaqjeve të saj, duke e përshkruar atë si “spektatorin e përjetshëm”.
Andrea shpjegoi se edhe pse të tjerët e shohin karrigen si bosh, për të ajo është gjithmonë e plotë dhe përbën një nga motivet kryesore që e shtyjnë të vijojë punën artistike në skenë. Ajo tha se ky akt i ruajtjes së karriges i jep forcë për të përfunduar shfaqjen dhe për të shijuar filmin, duke dëgjuar në kokë se çfarë do të thoshte vëllai i saj.
Në bisedë ajo kujtoi rikthimin me shfaqjen “Faust” dhe theksoi se edhe atëhere i la një karrige Eneas. “Mendova se e kam superuar këtë fazën e mos mbajturit të vetes. Dhe është spektatori i jetës time, i përhershëm dhe i përjetshëm. Gjithmonë kam patur një raport shumë të sinqertë edhe profesionalisht me të,” tha aktorja, duke shtuar se në situatën e tanishme të gjitha gëzimet i duken të hidhura, përfshirë premierat, që dikur ishin festa për të.
Ajo theksoi se arti ka qenë gëzimi i saj dhe se më parë e ndjente si një festë të përditshme të skenës dhe filmit, por tani emocionet ndryshojnë. Andrea tha se përpiqet ta bëjë gjestin minimal dhe falënderoi ata që i lejojnë karrigen e tij të mbetet bosh në sallë.
Në rrëfimin e saj përsëriti se karrigia është bosh për të tjerët, por për të është gjithmonë e plot dhe shpreh motivimin që i jep për të vijuar deri në fund të performancës. “Është spektatori i zemrës time. Në përgjithësi jam shumë e pasigurt kur bëj shfaqje, jam si studente. Por e kam gjetur motivin e qetësisë, të paktën psikologjikisht te njerëzit që dua dhe i kam në sallë. Kanë qenë gjithmonë vëllai dhe motra, e thoja me vete, ‘Kam ata’,” përfundoi aktorja.














