Do të jetë Dinamo që do të përballet me Egnatian në finalen e Kupës së Shqipërisë më 13 maj. Skuadra e Ilir Dajës, fituese e këtij kompeticioni edhe sezonin e kaluar, eliminoi në gjysmëfinale Vllazninë në “Loro Boriçi”, duke e mposhtur 1-0 në ndeshjen e dytë gjysmëfinale, pasi ndeshja e parë kishte përfunduar 1-1.
Ndeshja e dytë nisi me sinjale të hershme sulmuese, ku Kevin Dodaj tentoi me një gjuajtje të fortë në minutën e katërt që nuk e gjeti portën e Teqjas. Më pas Balaj pati një mundësi, por nuk arriti të koordinohej për të gjuajtur drejt portës së Dinamos. Në minutën e 26 përpjekjet e ekipit të kryeqytetit sollën një raste tjetër, kur Vilan shërbeu për Dejvi Bregun, por ky i fundit u ndal nga Jukaj. Pjesa e parë u mbyll pa gola, 0-0.
Pjesa e dytë nisi me një goditje dënimi për Dinamon, ndërsa Vllaznia iu përgjigj me rastin e Malës, që u ndal nga Teqja. Edhe një gjuajtje tjetër e Balajt nuk gjeti portën e kryeqytetasve. Në minutën e 75 Dinamo arriti të shënojë golin vendimtar: Dejvi Bregu shënoi pas një galopimi të gjatë, ku dribloi edhe Jagon dhe dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë avantazhin skuadrës së Ilir Dajës.
Në minutat e mbetura nuk pati ndryshime dhe takimi përfundoi 1-0 në favor të Dinamos. Me këtë fitore, Dinamo kualifikohet për të dytin vit radhazi në finalen e Kupës së Shqipërisë, ku do të ndeshet me Egnatian më 13 maj. Nga ana tjetër, Vllaznia mbetet pa vend në finalen e këtij viti dhe do të përqendrohet tashmë te garat në kampionat.















