Ka nisur seanca gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë për rastin e njohur si “Banjska”, ku tre të akuzuarit, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, janë paraqitur përballë trupit gjykues. Ata po përballen me akuza për përfshirje në sulmin e armatosur të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjska, në komunën e Zveçan.
Gjatë seancës, Prokuroria Speciale e Kosovës pritet të paraqesë fjalën përfundimtare. Prokurori special Naim Abazi theksoi se rasti nuk është një incident i izoluar, por një veprim kriminal me qëllim terrorist, duke shfaqur prova që lidhen me këtë rast. Ngjarja e “Banjska” është konsideruar një nga ngjarjet më të rënda të sigurisë në Kosovë në vitet e fundit, ku gjatë sulmit ndaj Policisë së Kosovës u vra rreshteri Afrim Bunjaku.















