Rodrigo Hernandes “Rodri” është zyrtarisht futbollist i Barcelonës. Mesfushori spanjoll këtë të martë kreu vizitat mjekësore me klubin katalanas dhe më pas nënshkroi kontratën me kampionët e Spanjës deri në vitin 2030. Futbollisti 30-vjeçar u transferua nga Manchester City për 60 milionë euro plus 16 milionë të tjera në formën e bonuseve; nga këto 10 milionë lidhen me objektiva më të vështirë për t’u arritur që lidhen me pjesëmarrjen e futbollistit, ndërsa 6 milionë të tjerë lidhen me objektiva më të lehtë.
Transferimi u realizua pas negociatave me Manchester City. Rodri ishte fillimisht pranë një kalimi te Reali i Madridit, por pas dëmtimit të Frenkie de Jong, që do të qëndrojë jashtë fushave për disa muaj, trajneri Flick kërkoi përforcim në mesfushë dhe Barcelona ndërhyri për të. Pas negociatave me klubin anglez u arrit marrëveshja për “kampionin e botës”.
Pasi mbylli procedurat, Rodri u prezantua zyrtarisht si futbollist i Barcelonës dhe në konferencën për shtyp shpjegoi arsyet e zgjedhjes së tij. Ai tha se ndihet shumë i kënaqur dhe e konsideron këtë një ditë të veçantë dhe një kapitull të rëndësishëm në karrierën e tij. Vendimi për t’u larguar nga Manchester City ishte i vështirë, pasi aty ai ndjehej i lumtur dhe i falënderon klubin që e kuptoi se ishte momenti i duhur për një ndryshim. Sipas tij, Barcelona është një klub i madh dhe një pikë referimi ndërkombëtare për mënyrën se si e kupton futbollin dhe vlerat që përfaqëson.
Rodri pranoi se kishte pasur edhe një opsion tjetër, por Barcelona ishte zgjedhja e tij e parë dhe këtë ia bëri të ditur edhe Laportës. Ai tha se në proces mori kohë për të asimiluar situatën, studiou dhe analizoi dy opsionet bashkë me familjen dhe njerëzit e tij, dhe së bashku morën vendimin që e konsideruan më të drejtin. Vendimet e tij, shtoi, gjithnjë janë të lidhura me sfidat sportive.

