Juventus ka zyrtarizuar transferimin e Kerim Alajbegovic nga Bayer Leverkusen, me talentin boshnjak të lindur në 2007 që ka firmosur një kontratë pesëvjeçare deri në vitin 2031. Prezantimi i tij u zhvillua në ambientet e klubit, ku pozoi pranë drejtuesve Frederic Massara dhe Marco Ottolini.
Sipas njoftimit zyrtar, transferimi ka kushtuar 30 milionë euro, me 5 milionë euro shtesë të lidhura me bonuse objektivash sportive, si dhe 2 milionë euro shpenzime për operacionin. Alajbegovic paraqitet si një anësor ofensiv i dykëmbësh, i aftë të luajë në hapësira të ngushta, të krijojë epërsi numerike përmes driblimeve dhe të godasë me të dyja këmbët.
Futbollisti, i lindur në Këln me kombësi boshnjake, vjen në Torino pas një sezoni të rëndësishëm me Salzburgun në Austri, ku në sezonin e fundit shënoi 13 gola dhe dha 4 asistime në 44 paraqitje në të gjitha kompeticionet. Ai është formuar në akademitë e Këlnit dhe Bayer Leverkusen, ka kaluar në ekipin e parë dhe ka marrë minuta në Bundesliga dhe në Champions League.
Pas zyrtarizimit Alajbegovic u shpreh i emocionuar për aventurën e re në Serie A, duke thënë se ndihet i nderuar të luajë për një nga klubet më të mëdhenj italianë dhe se do të punojë shumë për t’u përmirësuar. Ai shfaqi mirënjohje për mbështetjen e prindërve dhe familjes, ndërsa deklaroi se dëshiron të përshtatet sa më shpejt me skuadrën, të japë gjithçka për klubin dhe tifozët dhe se është i gatshëm të japë maksimumin.
Për momentin e parë në stadium, Alajbegovic tha se provon ndjesi shumë të bukura dhe e konsideron nder të veshë fanellën e Juventusit. Për stilin e tij loje ai deklaroi se preferon të ketë topin në këmbë, të bëjë driblime dhe krosime, por edhe të godasë në portë dhe të kërkojë asistime. Përmes rrjeteve sociale, ai i dha lamtumirën Bayer Leverkusen duke falënderuar tifozët dhe duke uruar klubit suksese në të ardhmen.

