Një ditë pas publikimit të reflektimeve të kryeministrit Edi Rama mbi protestat që zgjatën 55 ditë dhe njoftimin për një “besëlidhje” të re për shqiptarët, Top Channel siguron dokumentin strategjik të qeverisë, të quajtur “BESA”. Projekti i Zvërnecit, prej të cilit nisën protestat, parashikohet të jetë testi i parë i këtij dokumenti që do të shërbejë si udhërrëfyes për matjen e çdo politike, reforme dhe vendimi qeverisës në mandatin e katërt të Ramës.
Sipas planit, brenda një periudhe 90-ditore do të zhvillohen dëgjesa në terren me banorë, studiues, shkencëtarë dhe grupet protestuese, pas të cilave do të merret vendimi për të ardhmen e projektit. Dokumenti përcakton se “brenda këtij afati përfundojnë dëgjesa, hapja e dokumentacionit të publikueshëm, vlerësimi paraprak dhe vendimi i arsyetuar për hapat pasues”. Detyrimet që kërkojnë më shumë kohë do të regjistrohen me afate publike, institucione përgjegjëse dhe raportim të vazhdueshëm në ndërfaqen e quajtur “Flamingo Mirror”.
Plani thekson se testi i Zvërnecit nuk nis me asnjë paragjykim—nuk përjashtohet as vazhdimi e as ndalja e projektit. Alternativat e parashikuara përfshijnë vazhdimin me garanci, korrigjimin, kushtëzimin, rikonceptimin ose ndalimin, në përputhje me ligjin, kontratat dhe provat e paraqitura. Dokumenti saktëson se asnjë hap i “Metodës BESA” nuk pezullon kompetencat ligjore, procedurat administrative, detyrimet kontraktore apo kontrollin gjyqësor.
Plani “BESA” synon gjithashtu një transformim të përgjithshëm që, sipas dokumentit, do të përcaktojë dekadën e ardhshme të zhvillimit shqiptar, me fokus qytetarin: kalim nga logjika e ndërtimit te kultura e kujdesit; nga investimi si ngjarje te përkujdesja si standard; dhe nga miratimi i ligjeve te përvoja e përditshme e qytetarit lidhur me ligjshmërinë. Synimet përfshijnë një shtet të drejtë me njerëzit, administratë që respekton afatet, shërbim publik që sillet me dinjitet dhe institucione që pranojnë gabimin dhe garantojnë reagimin.
Në përfundim të procesit parashikohet një analizë e veprimeve para qershorit për nxjerrjen e mësimeve, ndërsa çështjet e përgjegjësisë administrative, kontraktore ose ligjore mbeten të hapura aty ku provohen. Të gjitha elementet e procesit do të publikohen në “Flamingo Mirror”, ndërfaqen që do të përdoret për dosjet me interes të lartë publik.

