Zjarri që përpiu dje një pallat të kompleksit “Arlis” te Farmacia 10, nuk la gjë tjetër veçse shkrumbit dhe hirit. 30 banesa mësohet të jenë prekur nga kjo fatkeqësi, 30 familje kanë mbetur pa çati mbi kokë dhe me asgjë tjetër veç rrobave që kishin veshur në momentin e evakuimit.
I vetmi lajm “ngushëllues” nga kjo ngjarje është që fatmirsisht nuk ka patur jetë të humbura.
Ndërkohë që verifikimet e autoriteteve në orët në vijim pritet të sjellë një bilanc më të plotë të dëmit, teksa evidentohet se disa apartamente janë djegur plotësisht ndërsa të tjerë kanë dëmtime më të lehta. Këtë mëngjes të mërkure, ende mund të shihet tym që del nga ndërtesa.
Ndërkohë kujtijmë se pamjet e bëra publike ditën e djeshme dëshmojnë se zjarri ka frilluar nga “Big Market” i ndodhur në katin e parë të pallatit dhe më pas është përhapur me shpejtësi fillimisht në fasadën e pallatit e më pas ka përfshirë gjithë ndërtesën.
Dyshohet se zjarri mund të ketë lindur në hapësirën e jashtme ku mund të ketë pasur mbeturina, por akoma nuk është përcaktuar shkaku i zjarrit.
Ndërkohë këtë mëngjes struktura e ndërtesës paraqitet me rrezik dhe banorët nuk janë lejuar të hynë nga policia, teksa mësohet se banorët e pallateve të tjera të kompleksit ngjitur me atë të djegur kanë kaluar natën në banesat e tyre, pasi i vetmi shqetësim ka qenë ajri i rënduar pas zjarrit.
Materiali prej leshi xhami në shtresën e brendshme të fasadës së bardhë e të kuqe nuk është djegur. E gjithë veshja e bardhë e cila ndodhet në pjesën e jashthme është shkrumbuar totalisht, kurse e kuqja duket që ka rezistuar disi në disa hapësira.
Por përpos të gjithash, kjo fatkeqësi më shumë se gjithçka ka lënë dëshpërim e lot për qytetarët që kanë humbur shtëpitë nga zjarri i frikshëm.















