Zjarri që ka përfshirë kodrat pranë Apolonisë mori përmasa të mëdha dhe ka prekur edhe një pjesë të territorit të parkut arkeologjik, në pjesën lindore të tij. Flakët që po avanconin drejt brendësisë së parkut janë neutralizuar falë ndërhyrjes së punonjësve të parkut dhe forcave zjarrfikëse, duke shmangur përhapjen e mëtejshme në zonën e monumenteve.
Jashtë kufijve të parkut situata mbetet kritike. Të favorizuara nga era e fortë, zjarret po përhapen me shpejtësi dhe po djegin qindra rrënjë ullinj si dhe sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi. Avancimi i flakëve ka qenë i shpejtë dhe i pakontrolluar në disa drejtime, duke rritur rrezikun për zonat përreth që ndodhen jashtë territorit arkeologjik.
Një drejtim i rëndësishëm i zjarrit është ai që shkon në drejtim të fshatit Kryegjatë, ku flakët po zgjerojnë sipërfaqen e djegur dhe po rrezikojnë banesa e prona. Përhapja e zjarrit drejt këtij fshati ka bërë që banorët të angazhohen direkt në përpjekjet për të mbrojtur pasuritë e tyre; ata janë futur në luftën me flakët duke tentuar të ndalin përhapjen drejt banesave dhe tokave bujqësore.
Forcat zjarrfikëse vazhdojnë ndërhyrjet në terren për të vënë nën kontroll vatrat dhe për të shmangur përhapje të mëtejshme. Operacionet përfshijnë si ndërhyrjet për shuarjen e flakëve brenda parkut, ashtu edhe veprime të koordinuara jashtë tij për të përballuar përhapjen e zjarrit të favorizuar nga era. Përpjekjet synojnë mbrojtjen e pronave private, të kulturave bujqësore dhe parandalimin e dëmtimeve të mëtejshme në zonat e banimit.
Për momentin situata vazhdon të monitorohet dhe ndërhyrjet po vijojnë për të kontrolluar vatrat dhe për të mbrojtur zonat e rrezikuara. Top Channel

