Ministria e Mbrojtjes njofton se brenda 24 orëve të fundit janë raportuar 44 vatra zjarri: 14 mbeten aktive, 9 janë nën mbikëqyrje dhe 21 janë shuar. Në operacione janë angazhuar 636 forca vendore dhe 67 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë dhënë mbështetje me 329 efektivë, mjete të shumta, 6 operacione me helikopterë, 1 avion Air Tractor dhe 1 dron.
Situatat kryesore aktive sipas qarqeve janë:
– Shkodër: Aktiv është vatrat Bardhaj–Myselim, me angazhim nga toka dhe ajri, përfshirë 71 efektivë dhe 2 helikopterë të Forcave të Armatosura. Aktivë janë gjithashtu vatrat në Mnelë të Vogël, Naraç dhe malin e Tërbunit, ku janë angazhuar edhe 50 forca ushtarake. Zjarri në Bërdicë është nën mbikëqyrje dhe nuk paraqet rrezik për banesat.
– Tiranë: Aktivë vijojnë zjarret në Malin e Dajtit, Kryezi të Kavajës dhe Selitë e Malit. Në Malin e Dajtit janë angazhuar 82 efektivë dhe 1 helikopter i Forcave të Armatosura, ndërsa në Kryezi është përdorur edhe 1 avion Air Tractor.
– Dibër: Aktivë mbeten vatrat në Vajkal, Lundre–Madhesh, Qafën e Helmes dhe Cerrujë. Vatra Lundre–Madhesh po përkrahet edhe nga Forcat e Armatosura.
– Lezhë: Aktivë janë vatrat në Gallatë dhe Kalivaç–Zimaj–Kashnjet; për këtë të fundit janë angazhuar edhe 63 efektivë dhe 2 helikopterë të Forcave të Armatosura. Nuk raportohet rrezik për banesa.
– Berat: Aktiv vazhdon vatra në Vokopolë, ndërsa zjarri në lagjen Kala është shuar.
Në qarqet e tjera disa vatra janë shuar ose mbahen nën mbikëqyrje, përfshirë ato në Korçë, Elbasan, Vlorë, Durrës, Fier dhe Kukës.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon ndjekjen e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave, pasurisë së qytetarëve dhe mjedisit.

