Ministria e Mbrojtjes njofton se deri në orën 20:00 të datës 25 gusht 2026, në të gjithë vendin janë raportuar 24 vatra zjarri; 6 prej tyre mbeten aktive, ndërsa 5 vatra janë nën mbikëqyrje. Gjatë ditës janë angazhuar 126 forca operacionale dhe 18 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë dhënë mbështetje me 20 efektivë, 1 helikopter dhe 2 avionë tip Air Tractor.
Fokusi kryesor i ndërhyrjeve mbetet Mali i Dajtit, ku vatrat në lartësitë mbi tunelet e Qafë Mollës vazhdojnë të jenë aktive. Në këtë zonë operojnë 40 forca zjarrfikëse, 20 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 7 forca të Agjencisë së Zhvillimit dhe Mbrojtjes së Zonave (ADZM), me mbështetje ajrore nga 1 helikopter dhe 2 avionë Air Tractor. Për momentin nuk raportohet rrezik për zonat e banuara pranë vatrave të Dajtit.
Në qarkun Dibër mbeten aktive vatrat në Ballenjë, ku po operojnë 5 forca të ADZM-së. Po ashtu, në Qafë të Helmës, Bulqizë vijon monitorimi i vatrave nga 4 efektivë të MZSH-së. Në të dy rastet nuk raportohen rreziqe për banesat apo qëndrueshmërinë e zonave të banuara.
Në Malin e Dardhës, në Librazhd, vatra është riaktivizuar në një sipërfaqe pyjore të vlerësuar rreth 7–8 hektarë; në terren po operojnë efektivët e MZSH Librazhd dhe nuk ka rrezik për banesa. Ndërkaq, vatrat në zonën Gjegjan–Gojan–Prozhëm–Tërbun, Pukë janë izoluar dhe aktualisht nuk ka vatra aktive, duke vazhduar vetëm monitorimin.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) ndjek vazhdimisht situatën në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje aty ku kërkohet, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

