Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 14:00 janë raportuar 11 vatra zjarri; 5 mbeten aktive, 5 janë nën mbikëqyrje dhe 1 është shuar. Në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar gjithsej 65 forca operacionale dhe 2 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura mbështesin me 20 efektivë dhe 1 helikopter.
Vatrat aktive janë të përqendruara në disa zona. Në Mali të Dajtit, Tiranë, vijon ndërhyrja mbi tunelet e Qafë Mollës me 40 forca zjarrfikëse, 7 forca të Agjencisë së Zhvillimit dhe Mbrojtjes së Zonave (ADZM) dhe 20 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga 1 helikopter; vatrat janë aktive por pa rrezik për zonat e banuara. Në Ballenjë, Dibër, zjarri vazhdon në një teren të vështirë shkëmbor me 5 forca të ADZM Dibër të angazhuara; nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Qafë e Helmës, Bulqizë, vatra mbetet aktive dhe po monitorohet nga 4 efektivë të MZSH Bulqizë, pa rrezik për banesat.
Në Mali i Dardhës, Librazhd, vatra është riaktivizuar në një sipërfaqe pyjore prej rreth 7–8 hektarësh; në terren ndodhen efektivë të MZSH Librazhd dhe nuk rrezikohen banesat. Në Valikardhë, Bulqizë, operacioni vijon me 1 automjet zjarrfikës dhe 6 efektivë, duke punuar për izolimin e vatrës që favorizohet nga era dhe temperaturat e larta.
Situata paraqitet e menaxhueshme, me angazhimin kryesor të përqendruar tek vatrat aktive. Zonat e Gjegjanit, Gojanit, Prozhmit dhe Tërbunit në Pukë nuk kanë më vatra aktive dhe vazhdojnë vetëm nën monitorim. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) ndjek në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë vendin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara dhe në gatishmëri për ndërhyrje aty ku kërkohet, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

